Pas tre vitesh naftëtarët e Kosovës zhbllokojnë fiskalizimin

Shoqata e naftëtarëve është pajtuar që të rinis montimin e sistemit të veçantë të fiskalizimit nëpër pikat e shitjes së naftës. Rifillimin e procesit të fiskalizimit e kanë përkrahur të gjithë anëtarët e Shoqatës së Naftëtarëve në një mbledhje që është mbajtur në Odën Ekonomike të Kosovës.

Vendimi i naftëtarëve për përkrahjen e fiskalizimit vije pas një bllokade të këtij procesi për më shumë se 3 vjet.

ATK-ja e kishte nisur procesin e montimit të një sistemi të veçantë të fiskalizimit tek naftëtarëve, në vitin 2012. Ky sistem ia mundëson ATK-së që të kontrollojë të gjitha daljet/shitjet e naftës që i bëjnë naftëtarët. Përmes këtij sistemi, ATK-ja kishte paralajmëruar se do të bënte parandalimin e shmangies së tatimit nga ana e naftëtarëve.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha se naftëtarët nuk kanë qenë kundër rifiskalizimit, porse ata nuk janë pajtuar me çmimin e këtij fiskalizimi.

“Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër rifiskalizimit por me përpjekjen tonë tani kemi arritur të ulim çmimin nga 18 mijë e 500 euro në 4 mijë euro”, theksoi Berjani.

Ai ka thënë se procesi i fiskalizimit të naftëtarëve ka nisur në një kohë kur ka pasur monopol në tregun e shitjes së këtyre pajisjeve të veçanta fiskale.

“Me hyrjen e operatorit të dytë në treg kemi edhe rënie të çmimit”, tha kryetari Berjani duke shtuar se naftëtarët janë të lirë të zgjedhin cilën kompani të dëshirojnë,raporton kallxo.com

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka paralajmëruar një gatishmëri të naftëtarëve për t’iu përgjigjur obligimit ligjor për fiskalizim.

“Jam shumë i kënaqur që 180 kompani këto kohët e fundit janë në procesin e rifiskalizimit”, tha Gërxhaliu.

Temat
Lajme

Të afërta