Panariti me fermerët në Lushnjë: Do të vendosim çmim dysheme që askush të mos tallet me djersën tuaj

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, zhvilloi sot një takim me fermerët në Gorçaj të Lushnjës, në lidhje me shqetësimet e shfaqura ditët e fundit, për çmimet e ulëta të domateve, që sipas tyre, grumbulluesit ua marrin nën kosto.

Duke i qetësuar prodhuesit, ministri Panariti propozoi vendosjen e një çmimi reference bazë, poshtë të cilit nuk mund të shitet asnjë produkt. Ai i siguroi fermerët se, nuk do të lejojë që të tallen me mundin dhe djersën e tyre.

“Duhet të vendosim një çmim që të mos tallemi me fermerin. Këtë punë do ta bëj në mënyrë të organizuar dhe ministria ka dy javë që merret me këtë çështje. Jam këtu të dëgjoj problemet tuaja. Ky është propozimi im, oferta jonë dhe s’është vetëm për të kaluar këtë situatë, por ta vendosim gjendjen në binarë të qëndrueshëm. Apeli im është ndaj pikave të grumbullimit, që të vendoset një çmim dhe kjo do të bëhet në dakordësi me ju”, deklaroi Panariti para fermerëve, të cilët zhvilluan një bisedë të hapur me pyetje përgjigje, në lidhje me shqetësimet e tyre.

“Unë kam ardhur për një propozim konkret për një çmim reference bazë, poshtë të cilit nuk mund të shkohet, pasi nuk mund të lejojmë këtë situatë dhe të tallemi me mundin tuaj. Nuk mund të shkohet, sepse ne nuk mund të bëjmë vetëvrasje, që ta detyrojmë fermerin të shesë nën kosto dhe të bëhemi qesharakë edhe me tregjet e huaja, sepse, tashmë që ne po hyjmë në Nëntor dhe ku çmimi i domates në tregjet e huaja po rritet, nuk mund të lejojmë që të blejmë domate me 25 lekë për kilogram. Absolutisht jo, deklaroi ministri i Bujqësisë, sipas të cilit, “do të krijohet një mekanizëm i qëndrueshëm, sepse nuk bëhet fjalë për të kapërcyer vetëm këtë situatë, e cila është goxha kritike, por dhe me prespektivë, se si do t’i zgjidhim këto problematika”.

“Ajo që unë besoj dhe ju e keni dëgjuar, që dikush e quan bursë bujqësore, është një mekanizëm që me dakordësinë e fermerëve dhe të pikave të grumbullimit, mbi bazën e atyre që unë i konsideroj ankande fillestare, të përcaktohet një çmim referencë, poshtë të cilit nuk mund të zbritet, sepse nuk mund të shkelet me këmbë mundi, sakrifica dhe investimi që bën prodhuesi, fermeri.

Ky mekanizëm, që do të zhvillohet si ankand fillestar, mund të bëhet çdo fillim dite, apo jave, si të bini dakord ju me grumbulluesit, duke vendosur çmimin bazë, fillestarin. Më pas, mbi çmimin që ju vendosni, tregu është i lirë dhe grumbullues të ndryshëm mund të kenë oferta të ndryshme, më lart se çmimi bazë. Për ne, e rëndësishme është që çmimet të mos zbresin poshtë atij fillestar, të ankandit të parë”, theksoi ministri i Bujqësisë. Duke folur me fermerët, për interesat dypalëshe, prodhues-grumbullues, ministri deklaroi gjithashtu se, kjo është në interes të pikave të grumbullimit, sepse nuk mund të bëhemi qesharakë, për ta grumbulluar domaten për 5 lekë (shembull), ndërkohë që unë e di, që domatja jonë pëlqehet jashtëzakonisht shumë në tregjet e huaja.

“Nuk mund të shitet një kg domate më pak se 40 lek për kg, në kohën kur po hyjmë në stinën e ftohtë. Nuk mund të shkojmë as me çmim qesharak në bursat e huaja dhe tregjet e huaja dhe unë kam kontakt me tregun lituanez dhe domatja e Lushnjes e Beratit është ndër më të kërkuarat dhe është kosideruar si domatja më e mirë e vitit.

Me qëllim stabilizimin e situatës, vendosjen e saj në rrugën e duhur dhe që problematika të tilla të mos përsëriten gjithmonë dhe me produkte e kultura të ndryshme bujqësore, Ministri i Bujqësisë iu tërhoqi vëmendjen fermerëve, edhe që të bëjnë kujdes me kulturat që ata mbjellin në periudha të ndryshme.

“Jemi në një periudhë që domatja ka mbiprodhim, ndërkohë që kërkesa është e lartë për produkte të tjera bujqësore. Bëni kujdes dhe me kulturat qe mbillni. Aktualisht ka kërkesë të madhe nga Italia e Çelia për specin, ndërkohë që ka superprodhim domateje. Megjithatë, ne nuk do të lejojmë që çmimi të jetë tallës dhe vrasës për ju”, vijoi më tej Panariti.

Në të njëjtën kohë, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, qetësoi fermerët edhe me krijimin e një fondi garancie, ngurtësimin e një fondi, gjë që do të bëhet në bashkëpunim me institucione të tjera. Për t’jua shprehur më qartë prodhuesve lushnjarë, Panariti sqaroi se, “do të bisedojë me Ministrinë e Financave, me qëllim krijimin e mundësisë dhe modaliteteve për ngurtësimin e një fondi. Ky fond do të ngurtësohet nga grumbulluesit e nëse këta të fundit iu blejnë ju produktet me një shumë të caktuar, më pas nuk tregohen korrektë me ju, por iu japin më pak lek, duke thënë se kaq i shitëm sepse ra çmimi, apo në rastin më të keq, nuk iu paguajnë fare, ju të merrni paratë tuaja nga ky fond ku janë ngurtësuar një sasi parash të vet grumbulluesve, duke iu mbrojtur ju. Qëllimi ynë parësor është që të mbrojnë prodhuesit”.

Më tej, foli edhe për nismën më të fundit, sipas të cilit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim do t’i paraqesë parlamentit, në mbrojtje të fermerëve. “Grupi jonë parlamentar do të hartojë një projektligj, për të rregulluar njëherë e mirë këtë situatë, për t’i dhënë fund kaosit dhe për t’i ardhur në ndihmë fermerëve dhe bujqësisë në tërësi. Por, kryesorja tani dhe më emergjentia është rregullimi i situatës me ankande ditore dhe ju do te jeni vete dëshmitar se si do të funksionojë. Ky mekanizëm do të jetë rregullues për ju si dhe për të gjithë tregun shqiptar, deri tek shitësi me pakicë në qytetet tona. Rruga më e mirë për të ndihmuar fermerin, është që t’i japësh treg. Me këtë, i kemi dhënë të gjitha”, përfundoi Panariti.

Takimi i sotëm në fshatin Gorçaj të Lushnjës u zhvillua me prodhues dhe grumbullues të produkteve bujqësore. Shkak për këtë takim u bënë ankesat e ditëve të fundit të fermerëve të kësaj zone, të cilët thanë se produkti i këtyre ditëve, domatja, po iu mbetet pa shitur, pasi oferta e grumbulluesve është shumë e ulët dhe që nuk nxjerr as kostot e prodhimit.

Temat
Rajon

Të afërta