VMRO bën filma, inskenon eliminimin e ministrit maqedonas me mafiozët shqiptarë

Tre mafiozë të rrezikshëm shqiptarë nga lagjja famëkeqe Seravë e Shkupit, me siguri të urdhëruar nga lideri i LSDM-së opozitare Zoran Zaev, tentuan ta eliminonin Dime Spasovin, funksionarin e lartë të VMRO-DPMNE-së. Por, ai trimërisht u shpëtoi të gjithëve! Ky, siç shkruan Gazeta Express, është versioni i partisë së Nikolla Gruevskit, për ngjarjen e para dy netëve, kur zv/ministri i Punës dhe Politikës Sociale Spasov shkaktoi një sërë aksidentes komunikacioni dhe pastaj e la një femër në makinë dhe i iku policisë dhe “alfave”.

Shumëkujt kjo mund t’i duket si skenar qesharak për film të produksionit B, madje C, D…, të Holivudit, por VMRO-ja dhe mediumet e saj të paguara mirë nga taksat e qytetarëve, pretendojnë se pikërisht kështu ka ndodhur e tërë ngjarja. Madje të gjithë që s’i besojnë këtij versioni janë tradhtarë të Maqedonisë dhe ia duan të keqen shtetit.

Këtyre nxënësve të propagandës naziste nuk u interesojnë pyetjet si ç’punë kihste pasur ministri me “mafian shqiptare”, pse e ndiqte ajo, pse i iku edhe policisë kur ajo me siguri do ta ndihmonte për të shpëtuar nga mafia, pse u ndërrua versioni i parë, sipas të cilit aksidentet i kishte shkaktuar vozitësi zyrtar i Spasovit, çfarë trimi na qenka ky që e la të dashurën në mëshirë të shqiptarëve të tmerrshëm dhe vetë iku… Ashiqare rrena me bisht të VMRO-së, por fatkeqësisht, gjejnë terren të përshtatshëm, respektivisht mjaft përkrahës të cilët u besojnë.

Të gjitha provat normale, dmth ato që s’hyjnë në fushatën gebelsiane propagandistike të VMRO-së, flasin se Spasovi ka qenë i dehur, në shoqëri me të dashurën jashtëmartesore, ka shkaktuar një sërë aksidentesh, nuk u është bindur urdhrave të policisë, ka ikur dhe ka ndenjur i fshehur diku derisa i ka dalë pija. Dhe, gjithsesi, derisa partia e Gruevskit, të cilën gjithnjë e më shumë e krahasojnë me atë që sundonte me Gjermaninë në 30-at dhe 40-at e shekullit të kaluar, nuk shpiku versionin me të cilin tentohet që një funksionar i lazdruar të tregohet si viktimë e shqiptarëve dhe opozitës.

dime-spasov_1477845949-7430604

Të përkujtojmë, natën e së premtes ndaj së shtunës zv/ministri plotësues i Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasov shkaktoi kaos nëpër një lagje në qendër të Shkupit, duke përplasur, me siguri i dehur, me makinën zyrtafre të një enti tjetër shetëror, disa makina dhe duke i ikur policisë.

Në vazhdim raporti i televizionit Alsat të Shkupit, nga i cili mund të mësohen detale rreth tërë ngjarjes.

Për kaosin e shkaktuar nëpër rrugët e Shkupit, zëvendës ministri Dime Spasov në polici është arsyetuar duke thënë se ka qenë i ndjekur nga disa kriminelë shqiptarë. Ai në polici është paraqitur mbrëmë vonë, ndërsa jozyrtarisht mësohet se ka dorëzuar ankesa, e jo padi kundër personave që e kanë ndjekur. Derisa Spasov ishte në stacionin e policisë, jashtë vërdallë sillej një makinë e tipit Pasat me xhama të errët, me të cilin supozohet se Spasov u largua nga stacioni për të shmangur mediat.

Vetëm disa minuta më pas, në stacionin policor u paraqitën dy persona të cilët kanë përmendur edhe Dime Spasovin dhe incidentin, që lë të kuptohet se pikërisht ata kanë qenë të përfshirë në aksidentin e parë të cilin e shkaktoi zëvendës ministri mbrëmjen se së premtes.

Më pas erdhi edhe një person tjetër i cili kërkoi të mos incizohet.

Pas një ore të gjithë së bashku u larguan nga stacioni i policisë.

Jozyrtarisht mësohet se personat të cilët Spasov i akuzoi se e kanë ndjekur, kanë mohuar këto akuza. Nga MPB thonë njoftimi rastin do të publikohet pasi të kompletohet lënda. Ndryshe, sipas njoftimit të një dite më parë të policisë, personi me iniciale E.A, që përputhet me emrin e Etem Abazi, ka lajmëruar në polici se është goditur nga një automjet i tipit “Tuareg” dhe nuk ka ndaluar, pas çka E.A ka filluar ta ndjekë. Pas ndjekjes nëpër qytet, policia veturën Tuareg e ka ndaluar dhe e ka legjitimuar personin D.S, që janë inicialet e Dime Spasovit si vozitës i veturës Tuareg.

Derisa policia ka vërtetuar identitetin e shoqërueses së tij në veturë, Dime Spasov ka ikur dhe pas disa orëve ka ardhur tjetër person, ndryshe shofer i Spasovit në ministrinë e punës dhe politikës sociale dhe i cili ka pohuar se ai e ka vozitur veturën Tuareg. Policia ka konstatuar se ai ka dhënë dëshmi të rrejshme. Deklarata e djeshme e Spasovit në polici ngre shumë pyetje dhe dyshime, sa është ndjekur nga “kriminelët”? Pse ka ikur nga policia? Pse nuk ka ndaluar pas aksidentit të parë? A ka ndonjë lidhje mes Spasovit dhe personave që e kanë ndjekur pasi nuk ka ndaluar pas aksidentit? Pse shoferi i zëvendës ministrit ka dëshmuar rrejshëm se ka drejtuar makinën. Pse Spasovi në ato orë të vonshme ka drejtuar veturën e Agjencisë për punësim? Drejtori i Agjencisë për punësim, Vllatko Popovski dje ka qenë në mal, ndërsa sot nuk përgjigjet në thirrjet telefonike.

Temat
Rajon

Të afërta