Grupi i EPP-së në BE mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Samitin e liderëve të shteteve dhe të partive anëtare të Partisë Popullore Evropiane, i cili u zhvillua në Mastriht të Holandës.

Një takim të veçantë, kryeministri Mustafa e ka zhvilluar me kryesuesin e Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, me ç’rast u diskutua në mënyrë të veçantë çështja e liberalizimit të vizave.

Kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar përkrahjen e Grupit të EPP-së, si grupi më i madh në Parlamentin Evropian, për proceset eurointegruese të Kosovës, duke përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryesuesi i Grupit të EPP-së, Manfred Weber, vlerësoi progresin në Kosovë dhe theksoi mbështetjen Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian për Kosovën.

Të pranishëm ishin liderët e shumë shteteve dhe qeverive të BE-së, duke përfshirë kancelaren Angela Merkel, drejtuesit e BE-së, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dhe kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber.

Gjatë Samitit është biseduar për përgatitjet rreth takimit të Këshillit Evropian, si dhe për tema të tjera të rëndësishme për anëtarët e familjes së madhe të partive të qendrës së djathtë evropiane.

Kryeministri Isa Mustafa është takuar me homologët e shteteve dhe liderët politikë të vendeve evropiane, të cilët kanë vlerësuar progresin dhe kanë shprehur përkrahjen e tyre të mëtejme për Kosovën.

Temat
Vend

Të afërta