Presidenti rus, Vladimir Putin ka anuluar një vizitë zyrtare të planifikuar në Paris, një ditë pas deklaratës së dhënë nga homologu i tij francez, Francois Hollande, i cili tha se Moska mund të përballet me akuza për krime lufte në Gjykatën e Hagës për bombardimet në Aleppo
Gjatë vizitës, Putin do të takohej me Hollande dhe do të përuronte një kishë ortodokse në Francë, sipas asaj që njoftohej nga Kremlini. Por në Paris, Hollande deklaronte se takimi me Putin do të përqendrohej vetëm tek kriza siriane.
Presidenca franceze kishte njoftuar homologët rusë se Presidenti Hollande do të takohej vetëm në një rast me Putin gjatë vizitës së planifikuar për më 19 tetor dhe kjo do të bëhej gjatë një takimi pune për krizën siriane.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi nga francezët, rusët bënë me dije shtyrjen e vizitës. Një zëdhënës i Kremlinit tha se vizita ishte anuluar, por Putin ishte i gatshëm që ajo të kryhej kur “t’i leverdiste Presidentit Hollande”. Por vetë Hollande tha se ai ishte i gatshëm të takohej me Putin në çdo kohë.
Anulimi i vizitës së Putin mbërriti një ditë pas deklaratës së Hollande dhënë për televizionet franceze, ku sugjeroi se Rusia mund të akuzohej për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
“Ata njerëz atje (Aleppo) janë sot viktima të krimeve të luftës dhe ata që ndërmarrin këto akte (bombardimet nga ajri) duhet të përballen me drejtësinë, qoftë edhe me Gjykatën Ndërkombëtare”, tha Hollande.
Moska mohon se ka bombarduar civilët në Aleppo dhe këmbëngul se në shënjestër të saj janë terroristët, ndërkohë që as Rusia dhe as Siria nuk janë anëtare të Gjykatës së Hagës.