Policia e Durrësit ka hedhur dritë mbi një pretendim se një familje nga Fushë Kruja ndihej e kërcënuar nga disa persona.
Në media u publikua pretendimi i Genc Dajlani se kishte konflikt me familjen e Hysen Mirit, dhe se ndihej i kërcënuar.
Për ngjarjen në fjalë policia e Durrësit ka sqaruar historinë mes dy familjeve, dhe dyshohet se Dajlani ti ketë bërë këto deklarata në media pasi kërkon që të përfitojë azil politik në Gjermani.
Ai është marrë në pyetje nga polici, ku është shprehur se histori e konfliktit është mbyllur që në vitin 2014.
Sqarimi i policisë:
Më datë 07.10.2016, Genc Dajlani është paraqitur në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe më pas në Stacionin e Policisë Fushë-Krujë, për ta ndjekur rastin më hollësisht.
Shtetasi i mësipërm para Oficerit të Policisë Gjyqësore deklaron se konflikti ka lindur që në vitin 2010, për një rrugë, midis vëllait të tij dhe familjes së Hysen Mirit, kohë në cilën vetë Genci jetonte në Greqi së bashku me familjen.
Vëllai i tij, jetonte së bashku me familjen e tij dhe mamanë, njëkohësisht komshinj me familjen Miri.
Në vitin 2014 Genc Dajlani është nisur për në Gjermani së bashku me familjen me qëllim për të kërkuar azil.
Pas dy viteve qëndrim është kthyer nga shteti Gjerman më datë 06.10.2016, pasi nuk plotësonte kushtet për të kërkuar azil, shkruan GazetaExpress.
Dajlani pohon se unë personalisht nuk kam debatuar me familjen e shtetasit Hysen Mirit dhe nuk ka marrë asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë.
Nuk është paraqitur asnjëherë në polici për të kërkuar mbrojtje për këtë ngjarje, por kjo është hera e parë.
Sipas tij që pas vitit 2012, edhe vëllezërit e tij nuk kanë më konflikt me familjen Miri dhe nuk kanë kërkuar më në vijim ndihmën e policisë.
Policia pasi ka pyetur shtetasin e mësipërm e ka trajtuar me prioritet çështjen, ku ka pyetur dhe anëtarët e familjes Miri.
Këta të fundit pohojnë se konflikti është mbyllur që në vitin 2012 dhe nuk kanë më konflikt me familjen Dajlani.
Në tërësi të studimit të çështjes dyshohet se shtetasi Genc Dajlani pretendimet e ngritura në media i ka bërë me qëllim për të kërkuar azil në Gjermani.