Kombëtaret ndajnë edhe dy vëllezër tjerë nga Kosova

Kur Kosova u pranua në UEFA e më pas edhe në FIFA, për shumë futbollistë shqiptarë të lindur në trojet e saj, dilemat u shtuan.

Kishte nga ata që zgjodhën pa pikën e mëdyshjes përfaqësuesen e Kosovës, të tjerë që janë ende të pavendosur, por rastit të Granit dhe Taulant Xhakës i shtohet edhe një tjetër.

Valon dhe Veton Berisha, përkatësisht 23 dhe 22 vjeç janë fëmijë të një çifti shqiptarësh të shpërngulur nga Kosova gjatë luftës. Si shumë familje të tjera, edhe prindërit e tyre gjetën strehë në vendet e Evropës Perëndimore, fillimisht në Suedi e më pas në Norvegji.

Talenti i dy vëllezërve u siguroi thirrjen fillimisht në ekipet zinxhir të Norvegjisë dhe me mbushjen e moshës dhe në skuadrën e parë.

Deri këtu gjithçka ishte perfekte për dy vëllezërit, që zgjodhën vendin që i rriti në pamundësi për të zgjedhur Kosovën. Por kur Kosova u njoh nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, dilemat ishin të mëdha.

“Ishte e vështirë, është e vështirë. Jo vetëm për ne, por për familjen tonë gjithashtu. Nuk ka të bëjë vetëm me karrierën tonë, por duhej të bënim zgjedhjen më të mirë të mundshme për të gjithë, për veten, familjen dhe njerëzit që na kanë mbështetur”, thotë Valoni për CNN.

Dy vëllezërit u ulën dhe biseduan, e në fund gjetën zgjidhjen që menduan se ishte më e mira. Vetoni do të qëndronte me Norvegjinë, ndërsa Valoni do të ndihmonte Kosovën në fushatën e parë të saj eliminatore për një kompeticion të rëndësishëm, siç është edhe Kupa e Botës.

“Do t’i jem gjithnjë mirënjohës Norvegjisë, vendi që më rriti dhe më bëri ky që jam sot. Por kemi edhe një lidhje të fortë me Kosovën. Ndaj vendosëm që unë të kaloj me Kosovën dhe Vetoni të ndihmojë vendin që na rriti”, thotë Valon Berisha.

Valon Berisha luan për Salzburgun në Austri, ndërsa Vetoni për Greuther Furth në Bundesligën e dytë gjermane.

veton_1475683578-7440005

Temat
SportVend

Të afërta