Ymeri pas arrestimit të Thaqit: Të ndalojmë marrëdhëniet ekonomike me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kërkuar llogari ndaj Kryeministrit Isa Mustafa për heshtjen që ka pasur ky i fundit në lidhje me arrestimin e drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaqit. Ai kë kërkuar ndalimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Serbinë.

“Isa Mustafa po hesht duke besuar që heshtja e tij e zbut Serbinë. Duke heshtur kemi rënë kaq poshtë. Nëse vazhdohet me heshtje, edhe arrestime tjera do të pasojnë. Zaten, kur nuk ia kërkon Serbisë dëmshpërblimin për luftën ajo t’i vazhdon dëmtimet edhe në paqe.” ka shkruar Ymeri.

Ai ka thënë se është e qartë që sa më të përulur ndaj Serbisë dhe sa më zemërgjërë ndaj kërkesave të saj, aq më e egër dhe instistuese bëhet ajo.

“Nuk ka normalizim të marrëdhënieve e as marrëveshje me Serbinë pa e njohur njëherë ajo pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.”

Më tej Ymeri ka shkruar ” Republika e Kosovës e ka vetëm një rrugë: atë të kushtëzimit të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës ndaj Serbisë me secilën levë kushtëzimi që e kemi në dorë (si p.sh. ndalimi i çfarëdo marrëdhënie ekonomike e tregtare prej të cilave Serbia nxjerrë përfitime të mëdha e Kosova pëson humbje të mëdha). Rruga e Qeverisë është e kundërt: Kosova koncesione politike e ekonomike Serbisë, e Serbia arrestime dhe akuza për terrorizëm ndaj Kosovës.”

Temat
LajmeVend

Të afërta