“10 mijë euro ose do të vras”, rrëfimi i biznesmenit italian: E njoh 25-vjeçarin e droguar që më kërcënoi

Mario Patrocci, biznesmeni italian i cili u kërcënua dhe kanos me fjalë nga 25 vjeçari, tashmë i arrestuar, Velson Qyrani, ka dhënë dëshminë e tij përpara policisë dhe medias.

Patrocci ka theksuar se e njihte të riun nga Korça dhe se e ka pasur në punësuar në një prej bizneseve të tij.

Ai deklaron gjithashtu se i ka dhënë para borxh Qyranit, të cilin e përshkruan si person të qetë, por me probleme me drogën.

“Personalisht e njoh atë djalë dhe më vjen keq që ka arritur deri këtu. Ka punuar për mua në një periudhë 1-vjeçare në një biznes të mëparshëm që kam pasur (call center) dhe duket tip i qetë.

Për sa e njoh unë, është një person i mirë por me shumë probleme.

Kohë më parë ka ardhur tek unë dhe më ka kërkuar 20 mijë lek borxh, ja kam dhënë. Ndërsa të dielën e kaluar më kishte shkruar një letër të cilën ma kishte hedhur poshtë derës. E kam parë letrën dhe jam çuditur nga sjellja e tij, por veç të tjerash mund të them se ajo që e ka shtyrë ishte varësia ndaj drogës.

Gjatë kohës që ka punuar tek unë, është paguar rregullisht. Më vjen keq për atë djalë. Nuk ndjehem i frikësuar dhe jam i vendosur që do të vazhdoj biznesin tim në Shqipëri”, ka deklaruar përpara policisë, biznesmeni italian, Mario Patrocci.

25-vjeçari Velson Qyrani, u arrestua sot nga polcia pasi nëpërmjet letrave dhe telefonatave ka kërcënuar biznesmenin italian, Mario Patrocci, duke i kërkuar në këmbim të jetës të tij 10 000 euro.

Ai ka kanosur me telefonata (me numër të fshehtë) si edhe me letra kërcënuese biznesmenin.

Nga veprimet hetimore të kryera nga Policia, rezulton se autori ka pasur dijeni për një aktivitet privat në fushën e marketingut, që zotëron bashkëjetuesja e këtij të fundit, në qytetin e Korçës dhe i ka kanosur ata me mbylljen e tij, nëse në këmbim nuk do të përfitonte shumën e kërkuar.

Temat
Rajon

Të afërta