Merkel: Dëshirojmë ta ndalim migrimin ilegal, por me humanitet

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha sot se Evropa duhet të siguroj më tepër marrëveshje me vendet e treta për kthimin e migrantëve, të cilët nuk kualifikohen për azil.

“Ne dëshirojmë ta ndalim imigrimin ilegal, por duke i pasur parasysh përgjegjësitë tona humanitare” tha zonja Merkel, pas takimit në Vjenë me përfaqësuesit e vendeve përgjatë rrugës ballkanike, nëpër të cilën kalojnë migrantët.

Nga ana tjetër, kancelari i Austrisë, Christian Kern, në konferencën për shtyp pas samitit të Vjenës, tha se “ne duhet ta rimarrin kontrollin e kufirit tonë të jashtëm” dhe ka shtuar se “ne duhet të vendosim se kush mund të hyjë në Evropë”.

Merkel dhe Kern janë shprehur se situata e migrantëve në Evropë është më e mirë se para një viti, kur mijëra vetë e kaluan Detin Mesdhe për çdo ditë nga Turqia në Greqi, e pastaj nëpër rrugën Ballkanike depërtonin në pjesën veriore të Evropës.

Afro një milion migrantë kanë hyrë në Evropë gjatë vitit të kaluar, shumica e tyre nga Siria, Iraku dhe Afganistani, dhe shtetet e tjera të përfshira nga konfliktet.

Vendet evropiane duhet të sigurojnë se rruga ballkanike është krejtësisht e mbyllur për migrantët e parregullt, tha sot presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk.

“Prej ditës së parë të krizës së migrantëve nuk kisha dyshim se çelësi kryesor për zgjidhjen e saj është ripërtritja e kontrollit të kufijve të jashtëm të BE-së. Prandaj, qartazi parakusht esencial për arritjen e këtij qëllimi është bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë në Ballkan dhe Turqinë”, u tha gazetarëve Donald Tusk, para samitit në Vjenë, ku është diskutuar për migrimin.

Temat
BotëLajme

Të afërta