Vetëvendosje e sulmon RTK’në, pse nuk është medium i saj

Vetëvendosje e ka sulmuar Radio Televizionin e Kosovës, pse nuk është medium i saj, teksa në anën tjetër, zyrtarët e kësaj partie janë çdo mbrëmje mysafirë në studiot e këtij televizioni.

Nëpërmjet një aksioni simbolik para objektit të televizionit publik RTK, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur pakënaqësinë e saj me politikat editoriale të transmetuesit publik.

Sipas Vetëvendosjes, RTK’ja po ushtron presion ndaj opozitës, duke thënë se televizioni publik po sillet si “përmbarues i punëve të Qeverisë”.

Partia e udhëhequr nga Visar Ymeri pretendon se pas asaj që ajo e ka quajtur “presionin medial të RTK-së”, janë arrestuar zyrtarët e saj për media, Frashër Krasniqi e Adea Batusha, që VV thotë se ndodhi pas debatit të Frashër Krasniqit me kryeredaktorin e RTK’së, Ridvan Berisha.

“RTK-ja me vite të tëra ka ofruar vetëm dy gjëra për qytetarët: terr dhe terror. Në terr informativ i ka lënë qytetarët, kurse terror ka ofruar për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! Ky medium publik sillet si një polici private. Sillet tamam si përmbarues i punëve të Qeverisë”, citohet të ketë thënë aktivistja e Vetëvendosjes, Teutë Rrusta, në faqen zyrtare të partisë në Facebook.

Sipas saj, RTK po shërben si dikaster qeveritar, veçanërisht gjatë edicioneve të lajmeve, çdo ditë në orën 19:30, “ku hyjnizohet puna e Kadri Veslit, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Teksa minimizohen lajmet që lidhen me Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë në rradhitjen e temave apo në minutat në dispozicion dhe mënyrën se si pasqyrohen ato”.

Transmetuesi publik po ashtu nuk problematizon çështjet me rendësi për qytetarët, kurse hallet e tyre i trajton si probleme pa fajtorë, pretendon Vetëvendosje.

Sipas partisë opozitare, “RTK nuk ka aspak qasje kritike, dhe përkundër që jemi shteti më i korruptuar në rajon, ajo nuk paraqet skandalet e shumta qeveritare në edicionet e lajmeve, duke i dhënë hapësirë vetë sulmit të qeverisë ndaj opozitës, shënimit të datave e aktiviteteve ku prehen shirita apo realizohen vizita nga zyrtarë të qeverisë”.

Vetëvendosje i ka bërë thirrje qytetarëve të mos i shikojnë lajmet e RTK’së, duke thënë se “në pikën në të cilën ka mbërritur ky medium publik, ndërrimi i kanalit në orën 19:30 është akt çlirimi nga propaganda qeveritare”.

Temat
LajmeVend

Të afërta