Ministrja Kumbaro gjen foton e gjyshes në ekspozitën “Marubi” në Amsterdam (Foto)

Mes shumë portretesh që mjeshtër Marubi do të fiksonte me kutinë magjike, gati 1 shekull më parë, ishte edhe i një nuseje të re nga Gjirokastra. Me një vështrim të thellë. Edhe pse bardhezi, fotografia lë të kuptosh se sytë i ka të shkruar, madje të ujshëm. Duket se ato i ka trashëguar edhe e mbesa.

Ajo është ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, që nuk mund ta fshehë dot entuziazmin që fotografitë e gjyshes së saj janë pjesë e pasurisë kombëtare, e muzeut “Marubi”. Në datën 16 shtator një koleksion i zgjedhur fotografish, që tregojnë një Shqipëri më të qytetëruar seç e kemi parë rëndom përmes kaçakësh, lypsarësh, fytyrave të vrara të malësorëve, janë ekspozuar në Amsterdam.

mirela-kumbaro-gjyshja1_1474372718-7749989

“Dinastia Marubi-100 vite të studios fotografike shqiptare” titullohet ekspozita e hapur në FOAM, në Amsterdam, në ceremoninë e së cilës ishte ministrja Kumbaro, e shoqëruar nga drejtoresha e FOAM, Marloes Krijnen, kuratorja e ekspozitës, Kim Knoppers, drejtori i muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni, ambasadorja holandeze në Shqipëri, Dewi van de Weerd, ambasadorja shqiptare në Holandë, Aida Sakiqi, ambasadorja e Kosovës në Holandë, Vjosa Dobruna, si dhe personalitete të tjera të njohura. Në këtë ceremoni ministrja Kumbaro prezantoi një copëz të historisë 100- vjeçare të kësaj dinastie.

“Niseshin nga gjithë Shqipëria në Shkodër, në skajin verior të vendit, veç për atë fotografi, mbi kolltukun e pashmangshëm ku uleshin pa fund personazhet e fillimshekullit XX, gjithë shoqëria shqiptare kalonte në atë sfilatë, me po atë sfond floreal që imitonte kopshtin dhe krahun e zonjave mbështetur.

Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip”, tha Kumbaro. Ministrja e cilësoi këtë ekspozitë jo vetëm një faqe e pasaportës sonë kulturore, por mbi të gjitha si një ftesë për të vizituar Shqipërinë, sepse siç theksoi ajo “pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur”.

Kumbaro ka ndarë me të pranishmit edhe detaje personale për rëndësinë dhe famën që kishte Marubi në Shqipërinë e varfër e të paurbanizuar të viteve ‘30, ku mungonin rrugët e makinat e ku njerëz nga gjithë skajet e vendit niseshin enkas drejt Shkodrës, veç për të pasur një foto nga studioja e Marubit.

“Ishte një kohë, diçka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën, nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion ‘Marubi’, këtë më rrëfente gjyshja nga ime nga Gjirokastra në Jug të Shqipërisë, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve 30″.

Kohën e qëndrimit në Holandë, Kumbaro e shfrytëzoi edhe për të takuar ministren holandeze të Kulturës, Arsimit dhe Shkencës, Jet Bussemaker, me të cilën diskutoi për bashkëpunimet e ardhshme.

Temat
Fun

Të afërta