Kosovarëve u shtrenjtohet jeta

Produktet bazike si qumështi, djathi, vezët, sheqeri e mishi, kosovarët gjatë muajit gusht i kanë paguar më shtrenjtë se sa në muajin paraprak.

Përderisa vezët për muajin korrik janë blerë me 2 euro e 8 cent, çmimi i tyre për muajin gusht është rritur në 2 euro e 64 cent.

Kosovarët për 4 cent më shtrenjtë kanë paguar edhe për produktet e qumështit.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht 2016. Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0,2% në muajin gusht 2016 krahasuar me muajin korrik 2016.

Qytetarët e Kosovës, për vite me radhë, ballafaqohen me një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Të ardhurat e tyre janë të ulëta krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.
Paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 32 për qind.
Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare, sipas të dhënave të ASK-së, del të jenë rrogat nga sektori publik dhe ai privat, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, përkatësisht remitencat.

Temat
LajmeVend

Të afërta