Spastrimi pas puçit lë fëmijët pa mësues në Turqi

Rreth 18 milionë nxënës në Turqi janë ulur sot në bangat e shkollës për fillimin e vitit të ri shkollor, pas shkarkimeve të dhjetëra mijëra arsimtarëve në dy muaj, që nga grushti i shtetit.

Shefi i unionit të mësuesve të Stambollit, Huseyin Ozev paralajmëroi për rrezikun e kaosit të përgjithshëm për shkak të mungesës së 40-50 000 mësuesve, të cilët ende nuk janë zëvendësuar.

Ministri i Arsimit, Ismet Yilmaz ka thënë ditët e fundit se Turqia planifikon të punësojë së shpejti rreth 30 000 mësues.

Në ditën e parë të shkollës, nxënësve u janë dhënë disa pamflete të bëra nga ministria mbi ‘’triumfin e demokracisë më 15 korrik” dhe në ”kujtim të dëshmorëve”, transmeton atsh.

Në shkolla janë shfaqur video lidhur me natën e grushtit të shtetit si dhe një fjalim nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Semestri i ri filloi me një minutë heshtje për ata të cilët vdiqën natën e 15 korrikut”, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).

Rreth 21 000 mësuesve iu anuluan licencat dhe 28 000 mësuesve të tjerë i larguan nga shërbimi civil, pas gjendjes së jashtëzakonshme që nga grushtit i shtetit.

Të gjithë ata akuzohen si mbështetës të Fethullah Gylenit, një predikues turk që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , të cilin qeveria e ka fajësuar për grushtin e shtetit.

Përveç kësaj, shteti ka pezulluar 11 000 mësues , të cilët akuzohen se kanë lidhje me Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Temat
Botë

Të afërta