Rrëzohet ‘mbrojtja’ e Beqajt, mjekët përgjegjës për vdekjen e nënës dhe foshnjës

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në një sqarim të gjatë me terma mjekësore vështirë të kuptueshëm për qytetarët e thjeshtë, hoqi çdo përgjegjësi nga mjekët për vdekjen e 35-vjeçares nëntë muajshe shtatzënë dhe foshnjës së saj.

Sipas tij, të gjitha shërbimet ishin kryer në kohë. Por përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Tiranës, në hetimet e para që ka kryer për rastin në fjalë, ka gjetur përgjegjës tre mjekë, kirurgë dhe gjinekolog. Sipas policisë, ata nuk i kanë dhënë në kohë shërbimin shëndetësor pacientes shtatzënë duke sjellë si pasojë vdekjen e saj dhe të foshnjës.

Blutë e kryeqytetit i kanë referuar materialet prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme për mjekët Helidon Klosi 47 vjeç, Dritan Deçka 45 vjeç dhe Nazmie Ceni, 51 vjeç.

Sipas Policisë së Tiranës, mjekët që kanë qenë në turnin e natës në maternitetin “Koço Gliozheni” nuk i kanë dhënë në kohë shërbimin shëndetësor pacientes 35-vjeçare, ku si pasojë ajo dhe fëmija ndërruan jetë.

Aida Çajku u transportua nga familjarët e saj në maternitet rreth orës 22:00 të së enjtes, dhe pas peripecive në tre spitale, ajo humbi jetën rreth orës 6 të mëngjesit të ditës tjetër, së bashku me foshnjën e saj. Në momentin kur ka shkuar në maternitet familjarët thonë se e kanë gjetur të kyçur e kanë pritur gjatë deri në mbërritjen e doktoreshës.

Temat
LajmeRajon

Të afërta