Presidenti ngushëllon Italinë për vdekjen e Ciampit

I pari i vendit Hashim Thaçi, u ka shprehur ngushëllime popullit italian për vdekjen e ish-presidentit të Italisë, Carlo Azeglio Ciampi.

Thaçi nëpërmjet Facebook’ut ka thënë se Ciampi ka qenë president në kohën kur bota demokratike u ngrit për të ndalur përpjekjen për gjenocid në Kosovë dhe kur vendi ynë kishte një nevojë të madhe për përkrahje nga miqtë ndërkombëtarë.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë:

“Ngushëllimet më të thella për vdekjen e burrështetasit të shquar, ish-presidentit italian Carlo Azeglio Ciampi. Si president e udhëhoqi vendin e tij në kohë të vështira, por me vizionin dhe urtësinë e tij ia doli ta konsolidonte Italinë përbrenda dhe në arenën ndërkombëtare.

Ishte president në kohën kur bota demokratike u ngrit për të ndalur përpjekjen për gjenocid në Kosovë dhe kur vendi ynë kishte një nevojë të madhe për përkrahje nga miqtë ndërkombëtarë. Ish-presidenti Ciampi do të kujtohet për përkushtimin dhe pasionin me të cilin i shërbeu vendit të tij. HTH”, ka shkruar në Facebook Thaçi.

Temat
BotëLajme

Të afërta