Ministria e Shëndetësisë ‘dallavere’ me specializantët

Ministria e Shëndetësisë kohë më parë kishte nënshkruar marrëveshje për subvencionim, me mjekët në shkollim specialistik me vetëfinancim. Këto marrëveshje u mundësonin atyre që përveç kontratave të rregullta në QKUK, të kenë angazhim shtesë prej 8 orë punë në javë në kujdesin primar.
Për të qenë përfitues të subvencionit, Ministria i ka kushtëzuar specializantët që të nënshkruajnë nga një deklaratë me anë të së cilës ata zotohen se përveç kontratës bazë dhe 8 orëve në kujdesin primar, nuk do të kenë angazhime tjera, shkruan Gazeta Express.

Mirëpo, sipas raportit të Auditorit, MSH ka qenë e paaftë që ti mbikëqyrë të gjithë specializantët lidhur me atë se a janë të angazhuar në punë të tjera dytësore.

ZAP, ka konstatuar se 121 specializantë apo përfitues gjatë vitit 2015 kanë punuar edhe në institucione tjera publike dhe private.
E gjithë kjo ka quar edhe në dëmtimin e buxhetit për 799 mijë e 451 euro.

“Subvencionimi i specializimeve në kundërshtim me marrëveshjet, përveç që ka shkaktuar dëmtim të buxhetit, rrit rrezikun të dëmtohet edhe reputacioni institucionit dhe profesionit në përgjithësi”, thuhet në raportin e ZAP.

Auditori konstaton se ministri duhet të sigurojë që të ndërpritet mbështetja financiare për specializantët e identifikuar që kanë përfituar në kundërshtim me marrëveshjet dhe të shqyrtohen mundësitë ligjore për të kërkuar kthimin e mjeteve të përfituara në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara.

“Përveç kësaj duhet të vendoset bashkëpunim me institucionet relevante (ATK dhe Trustin) për të verifikuar nëse ka edhe specializantë tjerë që punojnë/përfitojnë të ardhura në institucione private dhe kanë përfituar subvencionim nga MSH.”, thuhet tutje në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Temat
LajmeVend

Të afërta