Këta janë imamët dhe politikani që po akuzohen për terrorizëm (Emrat)

Prokuroria Speciale të enjten ka ngritur aktakuzë ndaj 5 të dyshuarve për terrorizëm – 4 prej tyre janë imamë dhe njeri politikan që drejton një parti islamike në Kosovë.

Imami i ish-xhamisë afër Termokosit në Prishtinë, Bedri Robaj dhe imami nga Prizreni, Idriz Bilibani po akuzohet për veprat penale nxitje të kryerjes së veprave terroriste. Ndërsa, imami tjetër nga Prizreni Mazllam Mazllami dhe kryeimami i BIK’ut në Pejë, Enes Goga akuzohen për veprën tjetër penale: Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, kombëtar, racor, fetar apo etnik. Aktakuza ndaj tyre është zyrtarizuar të premten nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pas gati 2 vitesh hetim ndaj tyre.

Në të njëjtën aktakuzë, personi 5 që akuzohet bashkë me këta imamë është edhe Fuad Ramiqi. Ky i fundit drejton partinë islamike LISBA, raporton Gazeta Express.

Ramiqi, sipas Prokurorisë, dyshohet se kreun veprën penale “Thirrje për rezistencë”.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër pesë të pandehurve: B. R. ish imam në xhaminë afër Termokosit në Prishtinë, I. B. hoxhë nga Prizreni, E. G. kryeimam nga Peja, M. M. imam nga Prizreni dhe të pandehurit F. R. Sipas aktakuzës të pandehurit: B. R. dhe I. B. me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste, nga neni 141 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit E. G. dhe M. M. poashtu sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale: Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, kombëtar, racor, fetar apo etnik, nga neni 147 par. 2 lidhur me par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërkaq të pandehurin F. R. aktakuza e ngarkon me kryerjen e veprës penale: Thirrje për rezistencë, nga neni 411 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Prokuroria e Shtetit përmes zyrës së saj për informim.

Sipas njoftimit, përcjell Gazeta Express, në hetime kanë qenë edhe të përfshirë tjerë në të njëjtën çështje penale, porse në mungesë të provave është marrë Aktvendim për pushimin e hetimeve ndaj tyre.

Temat
LajmeVend

Të afërta