Thaçi tregon në Toronto strategjitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës

Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi ka qenë panelist në Forumin Global Ekonomik të Torontos. Duke folur në këtë Forum, Thaçi, i ka përmendur ato që ai i ka quajtur suksese dhe të arritura të Kosovës.
Fjalimi i Presidentit Thaçi në Toronto të Kanadasë:

Si panelist në Forumin Global Ekonomik të Torontos, duke e marrë si shembull Kosovën, u përqendrova në disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen tonë ekonomike dhe në forcimin e shtresës së mesme.

Pas luftës, strategjia jonë e parë e ekonomisë politike ishte “të investojmë në siguri për të siguruar investime”. Ndërkohë që shumicën e energjive dhe burimeve i kishim të orientuara në rindërtim dhe në fushën e sigurisë, ne u fokusuam edhe në reformat e ekonomisë së tregut me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, në reformat fiskale me uljen e tatimeve dhe heqjen e tyre për shtresat e varfra. Gjithashtu, u përqendruam edhe në reformat arsimore dhe edukative, me krijimin e kushteve për shkollim pa pagesë dhe libra falas, në reformat në shëndetësi dhe në rritjen e pagave për tërë sektorin publik.

Njëkohësisht me këto reforma, për zbutjen e diferencimeve sociale dhe zbutjen e papunësisë, ne i rritëm investimet edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies për banorët e zonave rurale.

Kosova u bë prijëse në fushën e reformave dhe tash arritëm ta nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Në Forumin e Torontos theksova se vendi ynë ka pasur një periudhë të rëndë tranzitore, por prej vitit 2008 janë shënuar hapa të mëdhenj për zhvillimin e shtresës së mesme.
Investitorët e pranishëm i ftova që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.

Temat
LajmeVend

Të afërta