Nëse jo me qejf, Adem Grabovci do të sillet me forcë para Prokurorisë Speciale

Adem Grabovci do të përballet të mërkurën me tre prokurorë të Shtetit si i dyshuar për dy vepra penale. Prokuroria ka refuzuar kërkesën e avokatit të tij, Florent Latifi për shtyrjen e seancës së marrjes në pyetje. E ka paralajmëruar se në rast të refuzimit të ftesës për seancë hetimore, do të përdoret forca për ta dërguar para prokurorëve.
Nëse Adem Grabovci nuk paraqitet të mërkurën në Prokurori në ora 10: 00, atëherë Prokuroria pritet të urdhërojë sjelljen me forcë për ta marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.

Paralajmërimin për një gjë të tillë Prokuroria ia ka bërë avokatit të Grabovcit, Florent Latifit për shkak se Latifi ka kërkuar shtyrjen e marrjes në pyetje me “arsyetimin se ka seancë të mërkurën”.

Mirëpo, Prokuroria ka thënë se terminin për marrje në pyetje të Grabovcit, i dyshuar për dy vepra penale e ka bërë në koordinim me avokatin, Florent Latifi, i cili paraprakisht kishte thënë se të mërkurën më 14 tetor është i lirë.

Organi i akuzës i është përgjigjur me shkrim Latifit pas kërkesës për shtyrje. Ia ka numëruar arsyet e refuzimit të kërkesës së tij për shtyrje.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari e cila udhëheq ekipin e prokurorëve që po merret me Adem Grabovcin, ka thënë për Insajderin se kërkesa e Latifit nuk është pranuar.

“Unë kam pranuar kërkesën e avokatit, z. Latifi për shtyrjen e seancës që është për nesër. Kërkesës i jam përgjigj me shkrim për refuzimin e kërkesës.

“Ne ekipi i prokurorëve nuk mund ta pranojmë këtë sepse para caktimit të seancës së marrjes në pyetje, ne e praktikojmë gjithmonë që t’i thërrasim avokatët dhe t’i pyesim se se a janë të lirë për datën e caktuar. Në këtë rast, avokati ka thënë se është i lirë më datën 14 dhe e ka nënshkruar ftesën, e cila i është duruar tetë ditë para marrjes në pyetje siç parashihet me ligj”, ka thënë Hajdari, për Insajderin.

“Unë po e refuzoj kërkesën për arsye se termini është caktuar në marrëveshje me avokatët dhe se për atë ditë është caktuar salla që përdoret nga të gjithë prokurorët, dhe termini duhet të respektohet”, ka thënë Hajdari.

Prokurorja ka thënë se një prej arsyeve për refuzim të shtyrjes së seancës së intervistimit, është se avokati nuk ka ofruar prova me shkrim se ka seancë në Gjykatë. Ka thënë se gojarisht nuk mjafton arsyetimi.

“Në këtë shkresë dërguar avokatit, kemi thënë se në rast se avokati ka obligime në gjykatë, ai mund të dërgojë zëvendësim”, ka sqaruar Hajdari. Ajo e ka paralajmëruar Latifin për pasojat e mosparaqitjes në Prokurori të klientit të tij.

“Kemi thënë se nëse klienti i yt z. Adem Grabovci nuk paraqitet në terminin e caktuar, Prokuroria do të kërkojë lëshimin e urdhrit për sjellje me dhunë”, ka thënë Hajdari.

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet muajin e kaluar kundër Adem Grabovcit dhe personave tjerë të përfshirë në përgjimet, Dosja e Shefave.

Grabovci po hetimet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012. Hetimi ka nisur 26 ditë pas nisjes së publikimit të përgjimeve nga Insajderi të Adem Grabovcit, me zyrtarët tjerë të lartë shtetëror e partiak, përfshirë presidentin Hashim Thaçi.

Temat
LajmeVend

Të afërta