Mustafa: Jemi të përkushtuar ta përmbushim kriterin e fundit për liberalizim

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar, në plotësimin e kriterit të fundit për liberalizim të vizave.

Pas takimit njoftues që pati me përfaqësuesen e posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Mustafa tha se kanë biseduar për disa çështje konkrete, që kanë të bëjnë me avancimin e rrugës evropiane të Kosovës. Ndërsa theksoi se ka kërkuar nga BE-ja, t’i bëjë trysni Serbisë, me qëllim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura, duke theksuar po ashtu përkushtimin e qeverisë së Kosovës, për dialogun me Serbinë.

Ndërsa kryeministri kërkoi nga përfaqësuesja e BE-së përkrahje dhe më të madhe për Kosovën, në proceset integruese të saj.

Ndërsa e dërguara e Bashkimit Evropian në Kosovë Nataliya Apostolova, e cila tha se ndihej e entuziazmuar për detyrën e re tha se Kosova është lart në agjendën e BE-së.

Ajo theksoi se ka kërkuar nga kryeministri që ta informojë atë lidhur me masat konkrete që po merr Qeveria e Kosovës, për të luftuar korrupsionin dhe nepotizmin, pasi që kjo sipas saj është diçka për të cilën Kosova ende ka nevojë të përparojë, duke theksuar se BE-ja është këtu që t’i ndihmojë.

Apostolova tha se liberalizimi është i rëndësishëm për Kosovës, por se Kosova duhet ta ratifikojë Demarkacionin dhe ta luftojë korrupsionin.

Temat
Vend

Të afërta