Procesi ndaj Azem Sylës, drejt fundit

Dëshmitari i parë i mbrojtur në rastin e “Azem Sylës dhe të tjerëve” është rimarrë edhe një herë në pyetje nga ana e prokurorit dhe me këtë ai e ka përfunduar tërësisht dëshminë e tij në procesin e hetuesisë së veçantë në të cilën ndodhet ky rast.

Derisa ky proces po shkon drejt fundit, prokurori i Prokurorisë Speciale ka vendosur që ta rimarrë edhe një herë në pyetje dëshmitarin e parë të mbrojtur, dëshmia e të cilit do të konsiderohet si dëshmi e dhënë gjatë shqyrtimeve gjyqësore nëse prokurori vendos që të ngrejë aktakuzës ndaj Sylës dhe të tjerëve, të cilët janë duke u dyshuar nga Prokuroria Speciale për “Keqpërdorim të pronave shoqërore në periferi të Prishtinës”, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore avokati mbrojtës i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka bërë të ditur se e gjithë dëshmia e dëshmitarit të parë të mbrojtur ka përfunduar, ku në radhë është edhe dëshmitari i dytë i mbrojtur dhe me pas pritet përfundimi i procesit të hetuesisë së veçantë.

“Dëshmia e dëshmitarit, i emëruar si dëshmitari numër një, i cili është dëshmitar i mbrojtur nga Prokuroria, sot ka përfunduar plotësisht. Ne tani faktikisht jemi në fazën përfundimtare të përfundimit të hetimit dhe kësaj hetuesie të veçantë. Gjëra tjera nuk mund t’i themi sepse rasti është konfidencial. Prokurori sot e ka rimarrë në pyetje edhe një herë dëshmitarin, mirëpo gjërat që janë thënë aty ne nuk mund t’i komentojmë për arsye se kemi ndalesë gjyqësore”, ka thënë avokati Gashi.

Temat
Vend

Të afërta