“Nuk falim tokë në këmbim të liberalizimit të vizave”

Megjithëse Parlamenti Evropian i ka vënë kusht Kosovës, demarkacionin për liberalizim të vizave, kjo nuk ka ndikuar që kundërshtuesit e versionit të tanishëm të demarkacionit të ndryshojnë qëndrim.

Ata mbetet të palëkundur në qëndrimet e tyre, se ky demarkacion nuk duhet të kalojë edhe nëse kjo vërtetë kushtëzohet me lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës.

Partitë opozitare mbrojnë qëndrimet e veta kundër këtij demarkacioni. Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pohojnë se Kosova nuk ka tokë për të falur dhe se kushti i demarkacionit për lëvizje të lirë, është i pakuptimtë, pasi që një kusht i tillë nuk i është vënë asnjë shteti tjetër.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se version i tanishëm, është i papranueshëm për popullin e Kosovës, sepse Kosova humb pjesë të territorit të saj.

Ai thotë se për asnjë çmim, madje as për lëvizje të lirë, nuk duhet të copëtohet territori i vendit. Isufi shtoi se nuk mund të falet toka, për presione të ndryshme, pasi që një gjë të tillë, nuk do ta lejonte asnjë popull.

“Ne konsiderojmë se më shumë duhet të bëhet lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar si një kancer i shoqërisë, se sa demarkacioni që nuk iu ka vë asnjë shteti si kusht, prandaj pse Kosova të jetë nën presion të tillë, kur qytetarët e Kosovës nuk mund të falin tokë për hirë të lëvizjes së lirë, derisa dhe në territorin e vet, në pjesën veriore nuk mund të lëvizin qytetarët të lirë, prandaj ky është një paradoks dhe ne konsiderojmë se duhet të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, duke mos bërë presion për demarkacion, sepse nuk kemi tokë për të falur”, thotë ai.

Isufi thotë se megjithëse po bëhet presion tek deputetët që ta votojnë këtë formë të demarkacionit, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi që deputetët janë të vetëdijshëm, kanë dinjitet dhe nuk do të lejojnë humbje të territorit.

Edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili është ndër deputetët më të zëshëm kundër këtij demarkacioni, thotë për KosovaPress se ekspertët tashmë e kanë thënë fjalën e vet, ku është ardhur në përefundim që Komisioni Shtetëror për demarkacion ka bërë lëshime gjatë punës dhe se si do të zhvillohen proceset politike tash e tutje në vend, varet ekskluzivisht nga politika. Andaj thotë se mbetet i palëkundur në qëndrimin e vet kundër këtij demarkacioni.

Duke folur për kushtin e vënë për liberalizim të vizave, ai thotë se nuk është demarkacioni por krimi, korrupsioni dhe politikbërja e keqe që e ka sjellë vendin në këtë pozicion.Edhe Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj sa i përket demarkacionit me Malin e Zi.

Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj thotë se për ta ky demarkacion me këtë dormë dhe përmbajtje tashmë ka vdekur.Ndryshe, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se demarkacioni do të përfundon në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kurse, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi është shprehur i bindur se kjo çështje nuk do të shkojë në Arbitrazh sepse do ta kalojnë në Kuvendin e Kosovës, pasi vija e kufirit është në rregull.

Temat
Vend

Të afërta