Kosova s’po përfiton nga bashkëpunimi rajonal

Bashkëpunimi rajonal konsiderohet pikë kyçe e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në këto nisma rajonale, Kosova është treguar bashkëpunuese, por në të shumtën e rasteve nuk ka qenë përfituese aq sa kanë qenë vendet e rajonit, vlerësojnë përfaqësues të organizatave ekonomike në vend.

Janë disa projekte ndërkombëtare, të cilat janë krijuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim të thellimit të integrimit ekonomik me vendet e rajonit.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, ishte njëri nga projektet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që nuk solli përfitime për Kosovën, për shkak se, siç është thënë, “Kosova nuk kishte të zhvilluar sektorin e prodhimtarisë për të depërtuar në tregjet rajonale”.

Ndërkohë, dy nga projektet kryesore rajonale në fushën e infrastrukturës të përfolura së fundi, e të cilat përkrahen nga Bashkimi Evropian janë autostrada Durrës – Prishtinë – Nish dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore prej kufirit me Serbinë në veri, e deri në jug me kufirin me Maqedoninë.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, këto projekte i konsideron të një rëndësie të veçantë për Kosovën.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ai thotë se Kosova në projektet rajonale, është e barabartë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka trajtimin sikur të gjitha shtetet tjera.

Ai shton se Qeveria e Kosovës dhe populli, është e përkushtuar për bashkëpunimet dhe integrimet rajonale. Me përfundimin e këtyre projekteve në infrastrukturë, thekson ministri Zharku, Kosova do të shërbejë si vend transit për mallra dhe udhëtarë.

Temat
Vend

Të afërta