Tahiri asnjë fjalë për demantin e BE’së, rreth marrëveshjes së targave

Zyra për media ka dërguar detaje nga takimi tre palësh i sotëm në Bruksel ndërmjet përfaqësuesëve të Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Por, ende nuk jepet asnjë detaj nga dështimi i bisedimeve së marrëveshjes për targat e veturave, ndërsa është përshëndetur zbatimi i marrëveshjes për heqjen e barrikadës nga ura mbi lumin Ibër, shkruan Gazeta Express.

“Është mbajtur takimi tre palësh i grupit punues mes delegacionit të Republikës së Kosovës kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për të vlerësuar zbatimin e marrëveshjes për heqjen e barrikadës nga ura mbi lumin Ibër dhe revitalizimin e kësaj ure nga ana e Bashkimit Evropian.” thuhet në komunikatë.

Komunikata më tej vazhdon shkrimin duke bërë të ditur se “ Në përputhje me konkluzat e marrëveshjes së 25 gusht 2015, procesi i revitalizimit të urës është duke u implementuar ashtu siç është dakorduar dhe palët janë ndarë të kënaqura me dinamiken e deritanishme. Bashkimi Evropian do t’i mbaj të informuar të dy kryetarët e komunave në vazhdimësi përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, përkitazi me zhvillimet rreth punimeve mbi urën e lumit Ibër.”

Një ditë më herët, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri kishte deklaruar se në bisedimet me Beogradin është arritur marrëveshja për reciprocitetet në lidhje me tabelat e veturave, sipas modelit të Greqisë dhe Maqedonisë, që nënkupton vendosjen e tabelave ngjitëse mbi ato ekzistuese për veturat që qarkullojnë nga Kosova drejt Serbisë dhe anasjelltas.

Ky lajm është demantuar nga Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq e cila ka shprehur se në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk është arritur marrëveshja për tabelat e veturave.

Temat
LajmeVend

Të afërta