Demarkacioni s’duhet të procedohet sërish në Kuvend

Sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë se marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi duhet të korrigjohet e jo të dërgohet sërish për ratifikim në Kuvend.

Në një intervistë për Epokën e re, Sherifi ka thënë se edhe nëse demarkacioni riprocedohet, Qeveria do të detyrohet ta tërheqë ose Kuvendi do ta rrëzojë.

Sherifi ka bërë me dije se opozita vazhdon të jetë unike për demarkacionin, kurse sa i përket koordinimit, sipas tij, mbetet të shihet në ditët e ardhshme.

Ai ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se nëse ky proces dështon, përgjegjësia i takon Qeverisë.

Sekretari i Nismës ka theksuar se qeveritarët, në vend se t’i luftojnë krimin dhe korrupsionin që janë kushtet kryesore për heqjen e vizave, ata po fshihen prapa demarkacionit.

Temat
LajmeVend

Të afërta