Ardian Kozniku: Lojtarët e Kroacisë në Shkodër do të priten si mbretër

Ndeshja e 6 tetorit mes Kosovës dhe Kroacisë, do të jetë shumë emocionuese për Ardian Koznikun.

Kosovari që ka veshur fanellën e Kroacisë, e që ka qenë pjesë e atij ekipi të suksesshëm të botërorit të vitit 1998, ka folur për përballjen kualifikuese për Kampionatin Botëror.

Kozniku në një intervistë për ‘Tportal’, deklaron se për të ndeshja Kosovë – Kroaci është shumë emocionale.

Ai tutje shton se lojtarët e Kroacisë më 6 tetor në Shkodër, do të priten si mbretër.

“Sigurisht që kjo ndeshje për mua do të jetë shumë e vështirë. Unë e dua Kosovën siç e dua Kroacinë. Kur unë luaja për Kroacinë, nuk kam promovuar vetëm futbollin shqiptar, kam promovuar edhe Kosovën dhe Gjakovën. Njëjtë edhe Kujtim Shala, që veshi fanellën e Kroacisë në ndeshjen e parë historike ndaj SHBA-ve në vitin 1990”, deklaroi Kozniku për Tportal.

“Realisht Kroacia sot, që për disa vite është në top 10, është më e mirë se Kosova, me lojtarë që luajnë në klube të mëdha”.

“Në Shqipëri, në Shkodër, Modric, Mandzukic dhe të tjerët do të priten si mbretër, jam i sigurt për këtë. Megjithatë, Kroacia duhet ta tregoj veten në fushë ku edhe është favorite, por përballë 16 mijë tifozëve lojtarët e Kosovës nuk do të kursehen. Mund të them se nuk po mund të pres për këtë ndeshje, dhe nuk do ta humbas mundësinë për ta jetuar”, ka shtuar Kozniku.

Temat
SportVend

Të afërta