Ymeri: Serbia është bërë faktor vendimmarrës në Kosovë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, vlerëson se asnjë vendim madhor që ka të bëjë me Kosovën nuk po mundë të merret pa vendimin e kryeministrit serb, Aleksander Vuqiq.

Ymeri thekson se Serbia po bëhet faktor vendimmarrës për Kosovën.

Shteti i Kosovës, pas pavarësisë së tij, sipas Ymerit, çdo herë e më shumë po e merr karakterin e një shteti të huaj për qytetarët, sepse për çdo herë e më shumë ai thotë se po largohet nga vullneti i tyre.

Lexo postimin e plotë të Ymerit në Facebook:

Asnjë vendim madhor për Kosovën nuk po e marrim dot pa miratimin e Vuçiqit. Dialogu në Bruksel dhe produkti politik i tij Lista ‘Srpska’ (si pararojë politike e plotësim emërtimi i konstruktit institucional ‘Zajednica’) po e bëjnë qeverinë e Serbisë faktorë vendimmarrës të patejkalueshëm në Kosovë. Nënshtrimi politik na e pamundëson pavarësimin ekonomik. Energji elektrike këmbejmë më shumë me Serbinë se sa me Shqipërinë. Mallra më shumë blejmë prej Serbisë se sa prej Shqipërisë. Vendimin për Kodin telefonik për Kosovën, përmes marrëveshjes në Bruksel, regjimi ia lë në dorë tërësisht Serbisë. Policia e Serbisë hyn në territorin e Kosovës kur të dojë. Në UNESCO nuk na pranuan për shkak të fushatës raciste të Serbisë e dështimit amator të Thaçit. Anëtarësimi në UNESCO do të nënkuptonte ndarje nga Serbia sepse trashëgiminë kulturore e historike e kemi të uzurpuar nga Serbia.

Shteti i ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë për çdo herë e më shumë po e merr karakterin e një shteti të huaj për qytetarët, sepse për çdo herë e më shumë po largohet nga vullneti i tyre. Kështu ky shtet nuk po largohet nga Serbia. Kjo është fatkeqësia e parë. Njëkohësisht po kërcënon të na largojë nga Shqipëria. Kjo është fatkeqësia e dytë.

Temat
LajmeVend

Të afërta