“Temat politike nuk po na lënë të punojmë”

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se Qeveria pjesë e të cilës është nuk ka mundur të punojë me duar të lira, për shkak të pengesave nga spektri politik dhe temave që kanë bllokuar problemet reale.

“Në qoftë se do t’i kishim duart e lira të punonim vetëm në çështjet për të cilat jemi të thirrur, do t’ia dilnim mirë”, ka thënë Abrashi në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës.

Megjithatë, thotë ai, “kemi arritur progres sa i përket dialogut social”.

“Spektri politik, duhet ta kuptojnë rëndësinë e dialogut social. Duhet të tërhiqen nga temat të cilat e kanë zaptuar vendin”.

Abrashi ka deklaruar se tema të tilla se “si të ndryshojmë ligjin e punës e të tërheqim investime, janë çështjet me të cilat duhet të merremi me prioritet”.

Abrashi kam folur edhe për çështje si; skema e re pensionale, shtimi i buxhetit për veteran dhe ligji i ri për lehoninë.

Siç ka treguar Abrashi, me skemën e re pensionale shumë parregullsi do të eliminohen, ndërsa do të rritet edhe buxheti për veteran, sepse është rritur edhe numri i veteranëve.

Kurse, ligji i ri i lehonisë, sipas Abrashit, do të tentojë lehtësimin e barrës të sektorit privat.

“Sektorit privat duhet t’ia lehtësojmë barrën që bie nga ligji i lehonisë. Është sektori që gjeneron dhe duhet të gjenerojë numrin më të madh të vendeve të punës, prandaj duhet pasur kujdes”.

“Ideja kryesore e ligjit të lehonisë dhe ndryshimeve që do të bëhen në të, është t’i lehtësohet barra privatit. Presim që deri në fund të vitit ta dërgojmë ligjin me ndryshime në qeveri, e pastaj të shkojë në kuvend”.

Temat
Vend

Të afërta