Sherifi: Demarkacioni nuk është kusht për vizat, kusht janë “kokat” e korrupsionit

Sekretar i Përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në një intervistë për lajmi.net thotë se Qeveria e Kosovës po fshihet prapa demarkacionit dhe nuk flet për kushtin kryesor për liberalizimin e vizave e që është e lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse ata shumë mirë e dinë se kjo luftë kërkon “kokat” e tyre, ndërsa miratimi i këtij versioni të demarkacionit kërkon Tokat e Kosovës.

Sipas tij, edhe sikur të ratifikohej marrëveshja për demarkacionin, liberalizimi i vizave nuk do të ndodhte pa rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Në vazhdim të intervistës, Sherifi thotë se koalicioni PDK-LDK nuk i ka votat e mjaftueshme për kalimin e demarkacionit, sepse qe moti do ta fuste në votim.

Lexoni intervistën e plotë me Bilall Sherifin:

Parlamenti Evropian të hënën e miratoi raportin për vizat për Kosovën, por demarkacioni mbetet kusht për votimin përfundimtar. A do të vazhdoni të qëndroni prapa qëndrimit tuaj për të mos e votuar demarkacionin, pavarësisht se kjo do të thotë izolim për Kosovën?

Bilall Sherifi: Qeveria e Kosovës po fshihet prapa demarkacionit dhe nuk flet për kushtin kryesor për liberalizimin e vizave e që është e lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit sepse ata shumë mirë e dinë se kjo luftë kërkon “kokat” e tyre, ndërsa miratimi i këtij versioni të demarkacionit kërkon Tokat e Kosovës.

Edhe sikur nesër të ratifikohej marrëveshja për demarkacionin, në bazë të asaj që në vazhdimësi e ka potencuar Brukseli zyrtar, nuk do të ketë liberalizim të vizave pa pasur rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Prandaj, kjo është më se e qartë se izolimi nuk vjen si rezultat i mos ratifikimit të kësaj marrëveshje por për shkak të mungesës së luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo e bën të qartë adresën e përgjegjësve për izolimin e vendit.

Pra, këta nuk e kanë më hallin e Tokave të Kosovës dhe as të Liberalizimit të Vizave por thjesht duke mos u angazhuar në plotësimin e kushtit kryesor, që sikur edhe thash më lartë është lufta kundër krimit dhe korrupsionit po mbajnë peng në fakt jo vetëm liberalizimin e vizave por edhe procesin e integrimeve evropiane në përgjithësi.

Tanimë të gjithë e kanë të qartë se këta qeveritar nuk e kanë as hallin e Vizave dhe as hallin e Tokave por vetëm hallin e “Kokave” të tyre.

Qeveria e Kosovës ka tërhequr marrëveshjen për demarkacionin nga Kuvendi javën e kaluar me arsyetimin se nuk ka pasur kushte. Si e vlerësoni ju këtë?

Bilall Sherifi: E si ta vlerësoj këtë ndryshe pos si mungesë guximi për ta thënë të vërtetën. Kjo qeveri në themel të krijimit të saj ka mashtrimin. Mashtrimin e votuesve të LDK-së dhe të PDK-së. Kur kjo qeveri i ka pasur votat nuk ka e ka pas hiç dert për kushte. Publiku i gjerë e din shumë mirë se kur ata i kishin votat shkonin edhe në tavan të Kuvendit për t’i mbajtur seancat e tani thonë se nuk kishin kushte. Prandaj ky arsyetim është i paqëndrueshëm.

E vërteta qëndron në atë se ata nuk i kanë pasur dhe as nuk do t’i kenë votat. Dhe, mirë që nuk i kanë, sepse askush nuk duhet të ketë mundësi të bëjë vota për të dëmtuar interesat e vendit. Për këtë shpreh mirënjohjen time ndaj të gjithë atyre deputetëve të mazhorancës që e bënë të pamundur kalimin e këtij versioni të demarkacionit me Malin e Zi.

Po ashtu ekzekutivi ka thënë se shumë shpejt do ta sjell në Kuvend. Çfarë do të bëni ju deri në atë kohë për tu siguruar që kjo marrëveshje mos të kalojë?

Bilall Sherifi: Çka t’ju them tjetër pos që do të bënin gabim të rëndë. Çështjet me rëndësi strategjike për vendin, sikur është demarkacioni, nuk duhet të trajtohen si çështjet e zakonshme për të cilat sot mund t’i kalojnë sepse një mazhorancë i ka votat e nevojshme por një mazhorancë tjetër në një kohë tjetër mund edhe t’i ndryshojë. Jo, për këto çështje vendoset vetëm njëherë, prandaj pajtueshmëria e gjerë e popullit dhe partive parlamentare është e domosdoshme.

Nisma do të vazhdojë të mbrojë qëndrimin që deri më tani e ka artikuluar sa i përket kësaj çështje.

Nëse Kosova mbetet pa viza edhe këtë vit, kush është përgjegjës për këtë sipas jush?

Bilall Sherifi: Pa dyshim që përgjegjës të vetëm dhe absolut janë këta qeveritarë të cilët ka dy vite që duke u mbështetur në numra të shumtë që kanë, nuk kanë qenë të gatshëm të ulen dhe të kërkojnë ndërtimin e konsensusit për çështjet e cekura më lartë dhe nuk kanë bërë asgjë në plotësimin e kushtit kryesor për liberalizimin e vizave, e që të gjithë e dimë se është lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Si i komentoni postimet e kryeministrit Mustafa që deklaratat e AAK-se i krahasoi me rriqrat e Malishevës?

Bilall Sherifi: Nuk është hera e parë që Isa Mustafa “shkreton” në FB-un e tij. Por së paku kësaj radhe nuk tha që ia kanë thyer fjalëkalimin. Malisheva sikur shumë qytete të Kosovës kanë dhënë shumë për lirinë e vendit prandaj referimet e tilla ofenduese nuk guxojnë të bëhen. Por, si duket duke qëndruar për dy vite me Thaçin ka filluar t’i përvetësoj edhe veset e tij. Nuk thotë kot populli “tregomë me kënd rin, të tregoj se kush je”

Cila është zgjidhja juaj që vendi të dal nga kriza?

Bilall Sherifi: Këtë qeveri që nga krijimi i saj e ka karakterizuar arroganca e numrave. Është koha e fundit që ajo të heq dorë nga kjo logjikë dhe t’i kthehet dialogut të brendshëm. Të pranojë që ky version i demarkacionit është bërë me gabime e cila vendit i kushton mijëra hektar dhe kështu do të hapet rruga për fillimin e një procesi të ri. Rrugët tjera janë rrugë me shumë të panjohura.

Para pak ditësh është emëruar edhe prokurori i gjykatës Speciale që do t’i hetojë disa nga udhëheqësit e UÇK-së, çka prisni nga ky proces?

Bilall Sherifi: Së pari më duhet të ritheksoj edhe njëherë se Nisma ka qenë kundër votimit të kësaj Gjykate si të tillë. Arsyet për këtë qëndrim i kemi bërë publike dhe nuk dua t’i kthehem edhe një herë. Por, tani ajo është një fakt i kryer dhe s’kemi çka të komentojmë më. Por jam i sigurt dhe pres që këto akuza të rrëzohen në proceset gjyqësore. Mirëpo, vet fakti që proceset do të zgjasin me vite të tëra pa dyshim që Kosova do të dëmtohet. Ky është mendimi im, koha do të vërtetoj se kush ka pasur të drejtë.

A është e gatshme Nisma për Kosovën të shkojë në zgjedhje?

Bilall Sherifi: Çdo parti politike duhet të jetë e gatshme në çdo kohë të shkojë në zgjedhje. Edhe Nisma natyrisht që është e gatshme dhe çdo ditë e më shumë ajo po shtrihet dhe forcohet në të gjithë territorin e Kosovës.

A keni biseduar me AAK-në se si do të mund të duket lista zgjedhore e përbashkët?

Bilall Sherifi: Në parim natyrisht që shumë gjëra i kemi diskutuar dhe kemi arritur marrëveshje. Ndërsa detajet e marrëveshjes do t’i bëjmë publike në kohën e duhur.

Kohëve të fundit sikur e keni ulur intensitetin e reagimeve ndaj PDK-së, rrjedhimisht kryetarit të saj, Kadri Veseli. A do të thotë kjo, në mënyrë hipotetike, se PDK-ja është e pranueshme për koalicion të ardhshëm qeveritar?

Bilall Sherifi: Jo, nuk ka të bëjë me atë që thoni ju. Qëndrimi i Nismës për koalicionet e mundshme në të ardhmen do të ndërtohet varësisht nga ajo se a do të mund të merremi vesh për çështjet programore dhe jo në e emra të përveçëm pa marrë parasysh për kë mund të bëhet fjalë.

Temat
LajmeVend

Të afërta