Pse Vetëvendosje po del hapur kundër shtetit të Kosovës?

Lëvizja Vetëvendosje i është kthyer retorikës së para do kohësh kur fliste zëshëm për bashkim me Shqipërinë.

Kanë qenë ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Rusia 2018” që kanë nxjerrë në pah qëllimin e Vetëvendosjes për mosnjohjen e shtetit të Kosovës dhe orientimin drejt Shqipërisë.

Fillimisht kryetari i VV-së, Visar Ymeri përmes një postimi në Facebook shkaktoi zemërim të madh në Kosovë pasi që nuk uroi Kombëtaren e Kosovës në futboll për ndeshjen e parë historike, por vetëm Kombëtaren e Shqipërisë, shkruan lajmi.net.

Ndërkaq, sot, zëdhënësi i VV-së në Komunën e Prishtinës, Erzen Vraniqi shkon edhe një hap me tej, duke thënë se Kosova e pavarur nuk do të mund të mbijetojë dhe se duhet t’i bashkohet Shqipërisë.

Sipas tij, Kosova si shtet i pavarur nuk mund të mbijetojë dhe e vetme nuk mund të krijojë një ekonomi dhe ushtri stabile.

Ai shkon më larg duke thënë: Në afat të gjatë Kosova ose do t’i bashkohet Shqipërisë ose do të kthehet nën Serbi – një dëshirë e Serbisë që Kosova të kthehet në autonomi.

“Sa më shumë që të vonohet e para, rriten gjasat për të dytën”, ka shkruar mes tjerash ai.

Kësaj logjike të VV-së i është përgjigjur Burim Ramadani. Sipas tij, shteti i Kosovës do ta mbijetojë edhe këtë valë dalldisjeje!

“Kundërshtarët e shtetit që po paguhen nga taksat tona do të turpërohen nga “teoritë” e tyre njëjtë sikurse kundërshtarët e shtetit që nuk paguhen nga ne e që munduan të na zhdukin”, ka shkruar ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta