PDK-ja kërkon nga Shpend Ahmeti publikimin e kontratës për autobusët e rinj

Partia Demokratike – me degë në Prishtinë, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të bëjë publike kontratën e nënshkruar për furnizim me autobus të rinj.

PDK-ja po ashtu ka parashtruar ankesë në Agjencinë Kundër Korrupsionit lidhur me caktimin e nënkryetarit të Komunës, Dardan Sejdiu si kryetar i komisionit vlerësues të këtij tenderi.

Florim Sadikaj nga PDK-ja në një konferencë për media ka thënë: “ Ne si PDK kemi drejtuar një ankesë në Agjencisë Kundër Korrupsionit për tenderin për blerjen e autobusëve, pasi që zyrtari politik Dardan Sejdiu ka qenë kryesues në komisionin për hapjen dhe vlerësimin e tenderit”.

Problemi i dytë, sipas PDK-së ka të bëjë me kontratën e këtij tenderi, fitues i së cilës është përzgjedhur “Iveco” dhe kontrata po mbahet sekret.

“Ne përkrahim çdo investim për udhëtarët e Prishtinës. Autobusët janë vetëm një hallk dhe infrastruktura rrugore aktuale do të bëjë që të dështojë kjo iniciativë. Dhe paralajmërimin se bileta mund të shtrenjtohet është i pa pranueshëm për ne. Komuna e Prishtinës është shndërruar në shtab të Vetëvendosjes. Në nënshkrimin e kësaj kontrate nuk gjendet askund flamuri i Kosovës”, ka thënë tutje Sadikaj.

Ndryshe, me ndërmjetësimin e Komunës së Prishtinës, NP “Trafiku Urban” ka nënshkruar dje kontratën me kompaninë “Iveco” për furnizim me 51 autobus, nuk është bërë e ditur se sa ka qenë shuma e tenderit dhe emrat e kompanive në garë për këtë tender.

Temat
Vend

Të afërta