Partitë shqiptare asnjë urim për 25 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë

Në ditën e shënimit të pavarësisë së Maqedonisë, presidenti Gjorgje Ivanov ka bërë thirrje për pajtim dhe bashkim rreth interesave shtetërore.

Ai, tha se ky përvjetor e gjen vendin të zhytur në krizë të thellë ndërsa duhej të ishte një pikë kthese për përparimin e Maqedonisë. Edhe liderët e subjekteve maqedonase kanë lëshuar mezashe bashkimi, ndërsa partitë shqiptare nuk kanë bërë asnjë urim për 8 shtatorin.

“Ky jubile na gjeti të përçarë, të mbushur me mosbesim dhe urrejtje mes vete. Ky vit në të cilën kulminoi kriza politike ishte mundësi për një shpërthim brenda shoqërisë për të pastruar atë nga gjithë problemet që u shtresuan në 25 vitet e kaluara. Ky vit jubilar duhej të ishte kthesë dhe fillim i ri, por përkundrazi ne vijuan të zhytemi në baltën e revanshizmit dhe akuzave të ndërsjella”.

Mesazhe unifikimi ka lëshuar edhe kreu i opozitës Zoran Zaev. Ai ka thënë se nevojitet më tepër përgjegjësi dhe përkushtim nga të gjithë faktorët për përparimin e vendit dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike.

“Është koha që Maqedoninë ta shohim të bashkuar, të përparuar, ekonomikisht të fuqishme dhe plotësisht të integruar në BE dhe NATO. Vetëm kështu do të mund ta festojmë të lumtur pavarësinë e shtetit”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në urimin e tij me shkrim me rastin e 8 shtatorit, ka kërkuar unifikim rreth interesave kombëtare. Sipas tij, Maqedonia edhe në të kaluarën është ballafaquar me sfida të shumta por gjithmonë ia ka dal me sukses. Ai pret që vendi të del më i fuqishëm edhe nga situata aktuale.

“Kështu do të jetë tani dhe në të ardhmen. Ky është amaneti ynë, kjo është beteja jonë. Dhe kjo betejë, beteja për Maqedoninë, asnjëherë nuk do të ndalet. Ky 8 shator uroj që të jetë motiv shtesë që bashkërisht të tejkalojmë edhe këto sfida para të cilave ndodhemi”, thuhet në urimin e Gruevskit.

Në ditën e 25 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, partitë shqiptare nuk kanë bërë asnjë urim.

Ndërkohë, në kuadër të shënimit të 8 shtatorit janë organizuar një sërë aktivitetesh. Delegacione të Qeverisë dhe Kuvendit kanë vendosur lule para përmendores “Dëshmorët e rënë për Maqedoninë” në Shkup.

Temat
LajmeRajon

Të afërta