FSK kthen në punë oficerin që shkaktoi skandal me huazimin e uniformës në dasmën e Korab Shaqirit

Shkumbin Bajraktari, oficeri rezervë i Orkestrës Frymore të i FSK-së, “ndëshkimin” e vetëm që ka marr për skandalin e huazimit të uniformës tek këngëtari Korab Shaqiri, është ulja për një gradë.

Bajraktari ishte suspenduar në shtator të vitit 2015 pasi ishte treguar “zemër gjerë”, duke ia huazuar uniformën e tij të FSK-së, këngëtarit Korab Shaqiri në dasmën e tij.

Fillimisht kishte pasur shumë kundërthënie për këtë skandal që ishte përfshirë FSK-ja, por më vonë u pranua se uniforma ishte e një pjesëtari rezervë të Orkestrës Frymore.

Emri i Bajraktarit ishte mbajtur i fshehur deri më tani nga FSK-ja dhe po ashtu nga orkestra. Të gjithë pjesëtarët e FSK-së ishin këshilluar që të mos flisnin me emër që të zbulohej skandali.

Indeksonline ka zbuluar se Bajraktari ia kishte huazuar uniformën e tij, Korab Shaqirit, dhe për këtë ishte suspenduar nga pozita që e mbante, oficer rezervë i FSK-së i Orkestrës Frymore.

fsk-korab

Mirëpo pas një viti, Bajraktari është kthyer sërish në vendin e tij të punës, por për një gradë i degraduar, pasi huazojë uniformën e FSK-së, që ngjalli debat për keqpërdorim.

FSK e ka konfirmuar për Indeksonline se oficeri rezervë i FSK-së që ka huazuar uniformën në një dasmë është kthyer në punë. FSK-ja këtë vendim e bazon në ligjet dhe kodet e tyre.

Indeksonline i ka kërkuar FSK-së ta ketë arsyen e vendimit, por FSK nuk ka dhënë përgjigje tjetër, përveç se e ka konfirmuar se është kthyer në punë, por për një gradë më poshtë se që ka qenë.

“Oficeri në rezervë i FSK-së i Orkestrës frymore. Rasti i oficerit në fjalë është shqyrtuar në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi si dhe në bazë të Kodit disiplinor të FSK-së. Për rastin në fjalë është vendosur brenda afatit ligjor dhe në përputhje me Kodin Disiplinor. Bordi disiplinor, sipas ligjeve të FSK-së dhe Kodit Disiplinor të FSK-së ka vendosur masën disiplinore e cila i është shqiptuar oficerit në fjalë: “Ulje në gradë” pra një zbritje për një gradë(rang)”, thuhet në përgjigjen zyrtare të FSK-së për Indeksonline.

Ndërsa këngëtari Korab Shaqiri, nuk e kishte pranuar asnjëherë se ishte uniform e FSK-së.

Madje Shaqiri ishte arsyetuar se uniformën e ka qepur vet.

“Nuk ka qenë tog i FSK, nuk ka qenë gard ceremoniale, nuk ka qenë pjesëtar i FSK. Njeriu që e ka veshur uniformën e FSK-së është muzikant, është mik i imi i cili nuk ka lidhje. Nuk ka qenë kostum i gardës, ka qenë kostum i cili i ngjan bendit muzikor të FSK-së, nuk ka lidhje me ushtrinë e FSK-së. E treta, kryesorja dhe e vërteta është që kostumi është i qepur prej meje, unë personalisht, është ide e imja, është kërkesë e imja që të qepet një kostum për dasmën time”, kishte thënë Shaqiri për Klan Kosovën.

Ndërsa ky skandal e kishte alarmuar edhe ministrin e FSK-së, Haki Demollin. Në shtator të vitit të kaluar përmes një komunikate FSK kishte pranuar se gardëroba ka qenë e FSK-së dhe për këtë me vendim të ministrit ishte suspenduar Bajraktari.

“ Me këtë rast MFSK vlerëson se pjesëtari i FSK-së, që në këtë rast është pjesëtar i komponentës rezervë, konkretisht i trupës muzikore dhe me profesion muzikant instrumentist, dhe që nuk është ushtarë profesionist, ka shkelur rregulloret dhe ligjet e FSK-së si dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e FSK-së para qytetarëve të vendit dhe opinionit publik. Me vendim të ministrit të FSK-së Haki Demolli dhe urdhër të Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Ramës, për këtë shkelje, pjesëtari i FSK-së sot suspendohet nga FSK. Për më tej, çështja dërgohet në Komisionin Disiplinor të FSK-së”, thuhej në komunikatën e vitit të kaluar.

Po ashtu në këtë komunikatë specifikohej se për këtë rast MFSK do të iniciojë procedurë penale, që ende nuk ka informacion se ka ndodhur.

“Po ashtu MFSK për këtë çështje, do të inicioj procedurë penale, ndaj personit që ka veshur uniformën e FSK-së në mënyrë të pa autorizuar, veprim ky që sipas Kodit Penal të Kosovës, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet, ndër të tjera edhe dënimi me burg deri në një vjet. Në fund po e ritheksojmë se, Njësinë Ceremoniale të FSK-së nuk e përbën një uniformë e vetme e as një person i vetëm. Se MFSK, ndaj çdo pjesëtari që vepron në kundërshtim me dispozitat ligjore të FSK-së, do të ndërmarrë veprime adekuate ligjore dhe do të shqiptojë masat konkrete të parapara me ligj”, përfundonte komunikata.

Temat
Showbiz

Të afërta