FSK-ja pjesë e ushtrimit “Reagimi i menjëhershëm -16” në Slloveni dhe Kroaci

Një kontingjent prej 26 pjesëtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), u nis sot për të marrë pjesë në ushtrimin fushor “Reagimi i Menjëhershëm -16”, i cili do të mbahet nga 9 deri më 23 shtator në Slloveni dhe Kroaci.

Kontingjenti i FSK-së është i përbërë nga oficerë dhe nënoficerë të njësive të ndryshme të FSK-së, si të Kërkim-Shpëtimit, Deminimit, Mjekësisë dhe CIMIC-ut.

Për t’i përcjellë pjesëtarët e FSK-së, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, përveç zëvendës komandantit të Komandës së Forcave Tokësore Gëzim Hazrrolli, kishin dalë edhe zëvendës komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale Avdi Raci dhe oficerë të lartë të FSK-së.

Me këtë rast, gjeneral Hazrolli kërkoi nga pjesëtarët e FSK-së që të angazhohen maksimalisht gjatë ushtrimit fushor. Ushtrimi fushor “Reagimi i Menjëhershëm -16,” do të realizohet në territorin e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Kontingjenti i FSK-së do t’i bashkohet njësiteve të ushtrive të Sllovenisë, Kroacisë dhe SHBA-së.

Temat
Vend

Të afërta