Kryeministri i Kosovës po vazhdon të mbledhë fakte rreth demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka takuar drejtuesit e AKP’së dhe të Policisë Kufitare për të “sqaruar procesin e shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”. Drejtuesit e AKP’së kanë thënë se asnjë pronë e menaxhuar nga ta nuk ka mbetur jashtë territorit të Kosovës, ndërkohë që përfaqësuesi i policisë kufitare ka thënë se vija aktuale e kufirit është ajo që e ka shënjuar Komisioni i Mehës.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim drejtorin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, drejtorin Menaxhues të AKP-së, Ekrem Hajdari, si dhe drejtorin e Departamentit të Kufijve në Policinë Kufitare, Kolonel Shaban Guda, i cili shoqërohej nga Kapiten Avdyl Kadrija, shef i sektorit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare në Gjakovë.
Gjatë dy takimeve, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, u bisedua në detaje për pronat e AKP-së të cilat ndodhen në brezin kufitar me Malin e Zi, si dhe për të gjitha aspektet që lidhen me punën e policisë kufitare në këtë zonë, në funksion të nxjerrjes së argumenteve dhe sqarimit të procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
![]()
Gjatë takimit me drejtuesit e AKP-së, u theksua se asnjë pronë e menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka mbetur jashtë vijës kufitare të shënjuar nga Komisioni Shtetëror.
Përfaqësuesit e AKP-së kanë prezantuar edhe dokumentet dhe hartat e plota të pronave që ndodhen brenda vijës kufitare të Kosovës.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Policisë Kufitare, kanë deklaruar se që nga marrja e mandatit për patrullimin e kufirit, ata në vazhdimësi kanë patrulluar vijën kufitare e cila përputhet në tërësi me vijën e shënjuar nga Komisioni Shtetëror.
Ata, po ashtu, kanë dhënë argumente hartografike, teknologjike (GPS) dhe detaje tjera që lidhen me punën e tyre, të cilat argumentojnë vijën kufitare, e cila si e tillë është respektuar dhe figuron në hartat e lëna nga KFOR-i.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e konsultave të gjithanshme, me të gjithë subjektet e interesuara dhe organet shtetërore, puna e të cilave në çfarëdo forme lidhet me brezin kufitar me Malin e Zi, me qëllim të argumentimit dhe faktimit të të gjitha çështjeve që lidhen me shënjimin e vijës kufitare me Malit të Zi.
![]()
![]()