Vajza rrah me grushte burrin që e ngacmoi me mesazhe

Një 28­-vjeçare nga Tropoja nuk ka preferuar ndihmën e Policisë, por është përballur vetë me burrin që e përndiqte prej kohësh, duke bërë vetëgjyqësi me ndihmën e një shoku nga Laçi.

Ajo, bashkë me shokun e saj, i kanë “zënë pritë” 40­vjeçarit me iniciale M.A., i cili i shkruante vazhdimisht mesazhe në Facebook dhe e kanë rrahur afër Bankës së Shqipërisë, në qendër të Tiranës. Veç kësaj, i kanë marrë edhe çelësat e makinës tip “Mercedes”, që ende nuk janë gjetur nga Policia.

Burimet thanë se ngjarja ka ndodhur mesditën e së dielës, por është denoncuar në Komisariatin nr.3 dy ditë më parë nga 40­vjeçari i dëmtuar, i cili në kallëzimin e tij ka përmendur vetëm emrin e vajzës, pasi djalin nuk e ka njohur.

Të njëjtat burime thanë se pak orë pas kallëzimit, është bërë i mundur arrestimi i dy autorëve të ngjarjes, shtetases Blerina Shpata, 28 vjeçe, nga Tropoja dhe 25­ vjeçarit nga Laçi, Indrit Feto, të dy banues në Tiranë.

Ata janë arrestuar për tri vepra penale të kryera në bashkëpunim, “plagosje e lehtë me dashje”, “vjedhje” dhe “vetëgjyqësi”. Fillimisht dy të arrestuarit kanë mohuar të jenë autorë të ngjarjes, por ballafaqimi me pamjet e kamerave të sigurisë ka bërë që ata të pranojnë gjithçka. Më tej vajza ka shpjeguar edhe arsyet, që sipas saj e kanë shtyrë të bëjë një veprim të tillë. Burimet thanë se gjatë deklarimeve të saj, ajo është shprehur se shtetasi M.A. kishte disa muaj që e përndiqte, duke i dërguar herë pas here mesazhe në profilin e saj të Facebook­ ut.

Mesazhe që, sipas saj, u është përgjigjur negativisht dhe megjithatë ai vazhdonte t’i shkruante. Për këtë arsye, duke mos dashur që kjo histori të marrë përmasa të mëdha, nuk i është drejtuar Policisë për të denoncuar përndjekjen, por ka kërkuar ndihmën e shokut të saj, që t’i tregonte “vendin” 40­ vjeçarit. Madje, gjatë deklarimeve të saj ajo ka tentuar që ta përjashtojë nga përgjegjësia 25­ vjeçarin Feto, duke u shprehur se ai thjesht e ka shoqëruar dhe ka qenë vetë vajza që e ka goditur me grushte të dëmtuarin. Ndërsa në lidhje me pretendimet e shtetasit M.A. se dy të rinjtë i kanë vjedhur çelësat e makinës, të arrestuarit janë shprehur se çelësat mund t’i kenë rënë në tokë gjatë konfliktit dhe se ata nuk i kanë marrë asgjë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta