Kapet kosovari në aeroport duke shkuar për në Siri

Policia e Kosovës mbrëmë rreth orës 20:00 në Aeroportin “Adem Jashari” ka kapur një qytetar të Kosovës i cili dyshohet se ishte duke shkuar për në Siri për t’iu bashkuar luftës atje.

“Drejtoria Kundër Terrorizmit ka arrestuar të dyshuarin mashkull K-Shqiptar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj’. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK’së.

Kosova tash ka edhe ligjin i cili kosovarëve ua ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja. Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, më 23 gusht të këtij viti kishte deklaruar se tash e 11 muaj asnjë kosovarë nuk iu është bashkuar luftërave të huaja – pra, grupeve terroriste ISIS, Al-Nusra.

“Veç jemi në muajin e 11 që nuk kemi të regjistruar raste të shkuarjes së qytetarëve tanë në vatra të krizave dhe kjo ka ardhur si rezultati punës që kanë bërë MPB-ja, Policia e Kosovës dhe në rend të parë, punës që kanë bërë këshillat për siguri në nivel të Kosovës”, ka thënë Hyseni./

Temat
LajmeVend

Të afërta