Bulliqi: Edhe pse është kusht për vizat nuk e votoj demarkacionin

Në votimin e djeshëm në komitetin e LIBE të Parlamentit Evropian (PE) Kosova mori mbështetjen e raportit për lëvizje të lirë por raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon tha se nuk ka marrë një mandat për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e vizave për Kosovën për arsyen se ende nuk është përmbushur kushti i miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë ende nuk ka asnjë reagim të deputetëve që kundërshtuan marrëveshjen e demarkacionit dhe me këtë situatë proçesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian (BE) ka ngrirë.

I kontaktuar nga Gazeta Express një nga kundërshtarët më të ashpër të demarkacionit deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK, Shpejtim Bulliqi tha se pavarësisht situatës nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e demarkacionit.

“Deri tash angazhimi im ka qenë për ruajtjen në tersi territoriale të Kosovës. Ky angazhim i imi sa i përket kësaj çështje mbetet i pa ndryshuar.” tha Bulliqi.

Ai në lidhje me vizat ka shtuar se tashmë çështja e liberalizimit të vizave është çështje e qeverisë dhe politikes së jashtme të Kosovës që kanë bërë lidhjen e demarkacionit me liberalizimin e vizave.

Edhe Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku shprehu se vendimi i Komitetit LIBEi hap rrugën Kosovës për liberalizimin e vizave, me kushtin e përmbushjes së standardit të ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi.

Ndërkohë sipas burimeve të Gazetës Express nga java e ardhshme pritet të rifillojnë bisedimet për rikthimin në kuvend të projektligjit së marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi (Demarkacioni).

Temat
LajmeVend

Të afërta