Thaçi: Nxënësit të mësojnë për të kaluarën e dhimbshme, që të mos përsëritet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar nxënësit për ditën e parë të mësimit. Ai ka bërë thirrje që nxënësit të mësojnë për të kaluarën e dhimbshme, që të mos lejojnë përsëritjen e saj.

Presidenti Thaçi konsideron se me fillimin e viti të ri shkollor, nis edhe angazhimi i shtetit për të përgatitur gjeneratat e reja për jetën dhe botën e re.
“Jemi të lumtur që fëmijët tanë tash mund t’i gëzohen të ardhmes, ta presin pa frikë dhe të bindur se ajo do të jetë më e mirë për të gjithë. Ata do të mësojnë edhe për të kaluarën tonë të dhimbshme, me përplot sakrifica, por shumë krenare. Dhe mbi të gjitha, do të marrin dituri dhe urtësi që të mos lejojnë të përsëritet ajo”, ka shkruar Thaçi.

Urimi i tij i plotë:

Sot filloi viti i ri shkollor dhe bashkë me të edhe angazhimi ynë për të përgatitur gjeneratat e reja për jetën, për botën e re. Jemi të lumtur që fëmijët tanë tash mund t’i gëzohen të ardhmes, ta presin pa frikë dhe të bindur se ajo do të jetë më e mirë për të gjithë. Ata do të mësojnë edhe për të kaluarën tonë të dhimbshme, me përplot sakrifica, por shumë krenare. Dhe mbi të gjitha, do të marrin dituri dhe urtësi që të mos lejojnë të përsëritet ajo.

Sot, ora e parë e mësimit iu kushtua shenjtërimit të Nënës Terezë, por në të ardhmen, në kurrikulat tona duhet të përfshihet edhe mësimi për mirësinë dhe dashurinë që e ka përcjellë ajo në mbarë botën.

Mbi këto themele, të krenarisë për të kaluarën dhe urtësisë për të ardhmen, ne duhet t’i rrisim gjeneratat që do ta ndërtojnë shtetin që e nisëm ne.

Suksese në mësime të gjithë nxënësve! HTH

Temat
LajmeVend

Të afërta