Koreja e Veriut lëshon tri raketa me rreze të mesme veprimi

Koreja e Veriut ka lëshuar 3 raketa balistike në brigjet e saj lindore gjatë kësaj të hëne, ndërsa udhëheqësit e G20-s zhvillojnë një samit në qytetin kinez të Hangzhout.

Lajmi konfirmohet nga ushtria e Koresë së Jugut. Raketat u lëshuan nga një rajon në jug të kryeqytetit Penian vetëm pak pas pasdites me orën lokale, apo 5 të mëngjesit me orën tonë, si dhe ranë rreth 1.000 km largësi, duke goditur pikërisht Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Japonisë, sipas asaj që konfirmon zyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm koreano-jugor.

“Jemi ende duke analizuar detajet, por ky është një kërcënim i rëndë ndaj sigurisë së kombit tonë. Ndaj ne shprehim shqetësim të thellë”, bëri të ditur Ministria japoneze e Mbrojtjes përmes një deklarate.

Lëshimi i raketave është i fundit i një serie veprimesh të tilla nga vendi i izoluar komunist gjatë këtij viti, në shkelje të plotë të rezolutave të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, të mbështetura edhe nga Kina madje, që ndalojnë të gjitha aktivitetet e lidhura me raketat balistike nga Koreja e Veriut.

Peniani refuzon ndalimin, duke e konsideruar si pengim të sovranitetit të tij për të zhvilluar programin hapësinor dhe atë të vetëmbrojtjes.

Vetëm pak pas lëshimit të raketave, Presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye dhe kryeministri japonez, Shinzo Abe u takuan veçmas në samitin e G20-s dhe ranë dakord të bashkëpunojnë në monitorimin e situatës, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Japonia.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketat ishin “Rodong” me rreze të mesme veprimi, e ishin lëshuar si një shenjë force, pikërisht për shkak të mbajtjes së samitit të G20-s në Kinë, një prej aleatëve të Veriut komunist.

Në vitin 2014, vendi i izoluar lëshoi edhe dy raketa të tjera të mesme “Rodong”, teksa Park dhe Abe ishin duke u takuar me presidentin amerikan Barack Obama në Hagë, për të diskutuar përgjigjen ndaj programit të armatimit të Veriut.

Temat
BotëLajme

Të afërta