Krikët që nuk besojnë në mrekullitë e Shën Terezës

E gjithë bota tashmë e njeh Nënë Terezën si një shenjt dhe nuk ka asnjë kritik apo zë jo dashamirës që mund ta ndryshojë këtë fakt.

Megjithatë, në prag të kësaj të diele të shënuar për besimtarët katolikë anembanë botës dhe për shqiptarët, CNN ka publikuar një raport të zërave që e shohin nga një këndvështrim i zymtë shenjtërimin e saj.

Ata janë në minorancë, por megjithatë kontestojnë mrekullitë e Nënë Terezës, të cilat çuan në shenjtërimin e saj.

Prabir Ghosh, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Indisë për Shkencën dhe racionalistët, thotë për CNN se organizata e tyre nuk beson në mrekulli.

Kisha e ka pranuar faktin se Monika Besra, u shërua nga kanceri në stomak, pasi vendosi sipër tij fotografinë e Nënë Terezës. Për kritikët ky version bie, pasi është mjekësia moderne ajo që shëroi të sëmuren.

Gosh pretendon se ka një video e cila dëshmon se bashkëshorti i Monika Besres pranon se ajo është shëruar nga një kurë e posaçme.

Zërat kritike janë në minorancë me ata dashamirës dhe jeta në organizatat e Nënë Terezës vijon si zakonisht, me të njëjtën rutinë, thjeshtësi dhe dashuri ashtu sikurse Nënë Tereza të ishte gjallë.

“Një kamp përqendrimi i Luftës së Dytë Botërore”

“Një kamp përqendrimi i Luftës së Dytë Botërore”, kështu e përshkruan ish-vullnetari Hamley Gonzalez panoramën e Nirmal Hidray, organizatës së Nënë Terezës, ku ai ka punuar në vitin 2008 në Kalkuta.

Siç rrëfen për CNN, Gonzalez thotë se është i tronditur për nivelin e dobët të higjienës dhe kujdesit mjekësor të pacientëve atje.

Rroba të palara që u rivisheshin atyre në trup, thotë Gonzales.

Ai pohon se të sëmurët që vuanin nga sëmundjet e frymëmarrjes laheshin me ujë të akullt sepse nuk kishte kushte për ngrohje të ujit në të vetmin dush, siç pretendon ai.

Edhe për mjekun londinez, Aroup Chatterjee, situata paraqitet e ngjashme.

Në vitin 2003 ai publikoi një shkrim me tone të ashpra mbi murgeshën e famshme pasi kishte intervistuar mbi 100 vetë që punonin me misionin e saj.

Gjithashtu ai përmend një mungesë të tmerrshme higjiene në vendet ku trajtoheshin të sëmurët.

Sikurse shkruan CNN, justifikimin se nuk ka mjaftueshëm fonde, kritikët nuk e pranojnë.

Ata thonë se fondacioni që operon në më shumë se 100 vende të botës, merr miliona dollarë donacione, të cilat sipas tyre duhet të përdoren për të ndërtuar spitale, shkolla dhe për të përmirësuar kushtet në godinat e tyre.

Vetë CNN është munduar të kontaktojë krerët aktuale të organizatës së Nënë Terezës për të zbardhur diçka rreth fondeve, por kërkesa e tyre është refuzuar me një përgjigje shumë formale dhe spiritualiste, thotë CNN.

“Fonde kemi, ne mund të ushqejmë çdo njeri të uritur çdo ditë. Kjo është mrekulli e Zotit!“, ishte përgjigja e tyre.

Po ashtu CNN sjell një tjetër këndvështrim kritik ndaj shenjtores Nënë Terezë.

Shumë lëvizje feministe dhe organizata me prirje perëndimore i kanë cilësuar teoritë e saj mbi abortin, kontraceptivët dhe divorcin tepër egocentrike.

Temat
BotëLajme

Të afërta