Kina po i lë pa punë këpucëtarët gjakovarë

Deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova nuk dinte se çka është zhvillimi industrial, shumica e popullatës kosovare merrej me zeje të ndryshme, nga të cilat edhe e siguronin ekzistencën.
Kudo në vendin tonë, në cilindo qytet, zejtaria ka qenë shumë e zhvilluar, e në mesin e tyre, padyshim dallohej Gjakovë, e cila për dekada të tëra është quajtur qytet i zejtarëve. Qendër e këtyre zejtarëve, përherë ka qenë Çarshia e Madhe e këtij qyteti, pjesa më emblematike e Gjakovës. Në këtë çarshi, ndër më karakteristikat jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, vepronin një numër i madh i zejtarëve, për ç’arsye, jo rastësisht Evlia Qelebia, udhëpërshkruesi i njohur turk, e kishte quajtur “Qyteti i 100 zejeve”! Sado që ky përshkrim i tij është bërë para gati 400 vjetësh, në shekullin e 17-të, deri vonë shumë gjëra në këtë qytet kanë qenë njëjtë si atëherë, por nuk vazhdojnë të jenë ashtu.

Zejtarët, jeta dhe hijeshia e qytetit Kohëve të fundit, në qytetin e zejeve, në Gjakovë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Disa prej zejeve tradicionale, që për kohë të gjatë kanë qenë zeje ekskluzive të gjakovarëve, kanë filluar të shuhen ose janë në rrugë “të sigurt” që kjo t’u ndodhë. Ndryshe nga e kaluara, tash është shumë vështirë që në Gjakovë të gjesh plisaxhi, cergaxhi, samarxhinj, kazanxhinj, nallonaxhi… Ose edhe kur të gjesh ndonjë nga këta zejtarë, ata janë aq të rrallë saqë mund të numërohen në gishta. Shuarja e disa prej këtyre zejeve, mbase edhe është e kuptueshme, pasi disa nga prodhimet e këtyre zejtarëve përdoren gjithnjë e më pak, ose nuk përdoren fare dhe, kur nuk ka interesim për atë që prodhojnë zejtarët, nuk ka edhe llogari e motiv që zejtarët të merren me atë zeje. Kështu mund të shpjegohet shuarja e disa prej zejeve të lartcekura, mirëpo ky shpjegim nuk mund të vlejë edhe për zejen e këpucëtarëve! Pavarësisht se këpucët vazhdojnë të mbathen, ato vazhdojnë të prishen dhe vazhdojnë të kenë nevojë për riparim, numri i këpucëtarëve në qytetin e Gjakovës është gjithnjë e më i vogël. Thuhet se dikur, në këtë qytet, kanë vepruar rreth 70 këpucëtarë, ndërsa tash numri i zejtarëve, që merren me këtë zeje, mund të numërohet në gishta të duarve, pasi janë më pak se 10 sosh! Duket se në këtë mënyrë, hijeshia e zejeve të këtij qyteti po zbehet. Këtë, kohë më parë, na kishte thënë edhe, asokohe këpucë- tari më i vjetër i Gjakovës, i ndjeri Hysen Leti. “Dikur Gjakova ka jetuar me zanate, në mesin e të cilëve ka qenë edhe zanati i këpucëtarëve. Zejtarët i jepnin jetë, por edhe hijeshi këtij qyteti”, na kishte thënë baca Hysen, i cili, këtë zanat e kishte ushtruar që para Luftës së Dytë Botërore.

Në Gjakovë vinin të blinin këpucë edhe nga “Boshnjakia”! Jo vetëm baca Hysen, por zejen e këpucëtarit nga familja e tij e kishin ushtruar edhe vëllezërit e tij Bajrami e Zeneli. Siç pohojnë kronistët e kohës, asokohe këpucëtarët jo vetëm që riparonin këpucë, por edhe prodhonin, pasi fabrikat e këpucëve, atëherë ishin fare të rralla. Thuhet se këpucët e Gjakovës ishin në zë për shkak të cilësisë së mirë, kështu që këtu vinin të blinin këpucë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga jashtë saj, fjala vjen edhe nga, siç thoshin gjakovarët e vjetër, “Boshnjakia” (Bosnja e Hercegovina). Me zhvillimin e industrisë së këpucëve, këpucëtarët gjakovarë u detyruan që të orientohen më shumë në riparimin e këpucëve sado që as prodhimin nuk e kanë ndërpre kurrë, bile as sot e kësaj dite. “Kanë ardhur kohë të çuditshme. Është bërë shumë e vështirë të merresh me cilëndo zeje, e posaçërisht është bërë vështirë të merresh me prodhim. Invazioni në tregun tonë i prodhimeve të lira nga Kina apo vende të ngjashme, që janë të cilë- sisë mjaft të dyshimtë, e kanë bërë të pakuptimtë angazhimin tonë në prodhimin e këpucëve, i cili nuk është serik, por specifik, që bëhet një nga një. Prandaj, tash, në Gjakovë ka fare pak këpucëtarë, bile edhe ata që janë, më pak se dhjetë, kryesisht merren me riparimin e këpucëve, sado që edhe kjo nuk është aspak e lehtë”, ka thënë për gazetën Remzi Qehaja, aktualisht njëri ndër këpucëtarët më të vjetër në Gjakovë. /Kosovasot

Temat
LajmeVend

Të afërta