NISMA: 300 shtëpi në Prizren nuk kanë ujë të pijshëm

Dega e NISMA-s në Prizren bën të ditur se në një lagje të këtij qyteti me 300 shtëpi nuk ka ujë të pijshëm. NISMA pretendon se në këtë lagje nuk është instaluar asnjëherë ujësjellës, shkruan Gazeta Express.
“Lagjja e policëve po i thonë, saktësisht tek trafa italiane në arbanë, tashmë shtrihen së paku 300 shtëpi, shtëpi këto që ujë të pijes kurrë nuk kan pasur dhe akoma vazhdon të mos kenë. Pra e tërë kjo lagje e cila gjindet ne lagjen Arbana, rruga “Beteja e Pashtrikut”, nuk posedon ujë të pijes dhe për ta vërtetuar këtë mundet me dal në teren, drejtori tashmë i ri i klanit të Ramadan Mujes.

Krejt kjo, jo për shkak të reduktimeve të ujit, porse në këtë lagje as që është instaluar ujësjellësi i qytetit ndonjëherë, ose mund të jetë instaluar pjesërisht. Mirëpo kjo tani për tani nuk ka shumë rëndësi ngase kjo mund të vërtetohet në terren, por ajo që është e rëndësishme të shpërfaqet, është se, kjo lagje tash e sa vjet po ballafaqohet me mungesën e nevojave esenciale dhe themelore për jetesë dhe se për banorët e kësaj lagje, ky problem është bërë tashmë rutinor.” shkruhet në komunikatën e dërguar nga NISMA.

Më tej në komunikatë njoftohet se “Për të tilla probleme, jo pak herë ka ankesa nga banorët e kësaj lagje të Prizrenit, mirëpo këto vazhdimisht kanë hasur në vesh të shurdhër nga pushteti komunal dhe për këtë këshilltarët e “NISMA”-s në Kuvendin Komunal, do ta ngrehin si çështje urgjente e cila duhet te zgjidhet, sepse është më e patolerueshme që më shumë se 300 shtëpi te mos kenë fare ujë në këtë kohë.”

Temat
LajmeVend

Të afërta