“Lufta” mes të sëmurit mendor dhe forcave të policisë, si nisi historia deri tek arrestimi i tij

David Qosja, person me probleme mendore vrau dje efektivin e FNSH-së në Torovicë të Lezhës duke rezistuar për plot 5 orë ndaj forcave të rendit.
Ai ka refuzuar të dorëzohet, duke qëlluar vazhdimisht nga banesa e tij në drejtim të policisë dhe forcave speciale, ndërsa se në momentin që RENEA ka hedhur gaz lotsjellës, 27-vjeçari ka tentuar që t’i vërë zjarrin katit të dytë të banesës së tij për të shpërqendruar forcat e policisë dhe ato speciale. Gjithashtu ai ka tentuar dhe të arratisej. Por, në këtë moment është bërë i mundur arrestimi i tij.

Rreth orës 12:00, banorët e fshatit Torovicë kanë njoftuar policinë e Lezhës, se një i sëmurë mendor po qëllonte me armë në ajër dhe se ndiheshin të rrezikuar me jetë. Sipas banorëve, David Qosja ka qëlluar edhe në drejtim të malit, ku nga të shtënat kishte krijuar një vatër zjarri.

Pas denoncimit (rreth orës 13:30), forca të shumta të policisë së Lezhës kanë mbërritur në fshatin në fjalë dhe kanë nisur aksionin për kapjen e 27-vjeçarit.

Ky i fundit, sapo ka vënë re praninë e uniformave blu, ka hyrë në banesën e tij, ku ka vazhduar të qëllojë me armë zjarri nga dritaret. Nisur nga rezistenca e të riut, mosbindja e tij për t’u dorëzuar si dhe shkalla e lartë e rrezikshmërisë, policia e Lezhës ka kërkuar ndihmën e FNSH-së së Shkodrës.

Mësohet se prej 3 muajsh, disa efektivë të këtij reparti ishin stacionuar pranë Drejtorisë së Policisë së Lezhës për të ndihmuar në mbajtjen e rendit të qetësisë gjatë sezonit turistik. Pas mbërritjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Qosjes i është bërë sërish thirrje që të dorëzohej, por si përgjigje kanë marrë breshëritë e plumbave.

Rreth orës 15:00, plumbat e kallashnikovit të David Qosjes kanë plagosur rëndë efektivin e FNSH-së, Ardian Kodra nga Shkodra. Ky i fundit humbi jetën teksa po dërgohej me urgjencë për në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ndërkaq, ka mbërritur në vendngjarje për të mbikëqyrur dhe koordinuar operacionin edhe nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato. Operacioni për kapjen e David Qosjes që vazhdonte të qëllonte me armë ka vijuar, ndërsa rreth orës 16:30 kanë mbërritur në Torovicë edhe forcat e RENEA- s. 27-vjeçari nuk ka pranuar negociata, por ka rezistuar deri në fund. Ai është arrestuar rreth orës 18:30 të mbasdites së djeshme.

Temat
LajmeRajon

Të afërta