Sherri për një femër, arsyeja që u tentua të vritej i riu në Korçë

Shënjestra e një atentati shpëtoi mrekullisht dje në mes të Korçës, ndërsa autori u përplas me makinë në përpjekje për t’u larguar.

Sipas Policisë, një mjet në lëvizje ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të kalimtarit 39-vjeçar Mondi Firaj, nga Drenova, duke i rrezikuar jetën. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se pak ditë më parë mes autorit, shtetasit Endri Dervishi, 28 vjeç dhe shënjestrës së tij ka pasur një sherr mes tyre për një vajzë. Pas këtij sherri, që sipas të dhënave ka pasur edhe një konfrontim fizik, i riu ka vendosur të hakmerret ndaj “rivalit” të tij.

Dje, teksa 39- vjeçari ka qenë duke ecur në këmbë në Korçë, Dervishi, i cili me sa duket e kishte ndjekur atë, ka tentuar ta vrasë duke hapur zjarr drejt tij, teksa mjeti ishte në ecje. Më tej, në përpjekje për t’u larguar ai është përplasur në afërsi të fshatit Çiflig me një mjet tjetër. “Ngjarja është regjistruar në qendër të qytetit, përgjatë bulevardit kryesor ‘Fan Noli’ në afërsi të poliklinikës. Autori i identifikuar si Endri Dervishi, banor në lagjen nr.6 të qytetit të Korçës, ka qëlluar nga automjeti i tij në drejtim të 39- vjeçarit Mondi Firaj, banor në Drenovë, me qëllim për ta vrarë gjatë kohës që ky i fundit ka qenë duke ecur”, bëri të ditur Policia.

thumbnail-1_1472817028-4430711

Sipas dëshmitarëve, autori ka dashur të vrasë me armë zjarri Firajn, dhe menjëherë pasi ka qëlluar në drejtim të tij është larguar nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht asnjë nga plumbat nuk e kanë kapur shënjestrën e këtij atentati. Ngjarja ka shkaktuar panik, pasi në atë moment në bulevard ka pasur dhjetëra qytetarë, të cilët gjithashtu janë rrezikuar nga plumbat. “28-vjeçari Endri Dervishi, i cili ka qenë duke lëvizur me mjetin tip ‘Mercedez Benz’, me targë AA 666 NL, pasi ka xhiruar gomat dhe është nisur me shpejtësi për t’u larguar në dalje të qytetit të Korçës në drejtim të Pogradecit është përplasur me një automjet. Policia mbërriti në vend dhe bëri të mundur arrestimin e tij. Edhe personi i sulmuar është shoqëruar për të dhënë më tepër detaje rreth ngjarjes”, bëri të ditur Policia. Sipas të dhënave, 39-vjeçari Firaj ka mohuar ngjarjen duke rënë ndesh me versionet e dhëna nga dëshmitarët e ngjarjes, por edhe me provat e policisë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta