LDK : Vetëvendosje e rrezikshme për shtetin dhe jetën e qytetarëve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me anë të një komunikate shpreh se me shqetësim është informuar për arsenalin e jashtëzakonshëm të mjeteve ndezëse, molotovëve, armëve artizanale dhe materieve tjera të rrezikshme për jetën e qytetarëve, të sekuestruara nga Lëvizja Vetëvendosje.

LDK thekson se ky subjekt tashmë e ka tejkaluar çdo cak të sjelljes demokratike dhe përbën një rrezik evident për jetën e qytetarëve, transmeton Gazeta Express.

“LDK konsideron se zbulimi i këtyre mjeteve në ambientet në shfrytëzim të VV-së, në prag të protestës së djeshme, është dëshmi e skenarëve kriminalë, potencialit destruktiv dhe synimeve të këtij subjekti për zhytjen e Kosovës në gjakderdhje, kaos, krim dhe anarki.

Duke pas parasysh diskursin antishtetëror dhe kriminal të drejtuesve të kësaj partie, të shfaqur edhe sot nga një prej eksponentëve të saj i cili është pjesë e kriminalizimit të Komunës së Prishtinës, LDK thekson se ky subjekt tashmë e ka tejkaluar çdo cak të sjelljes demokratike dhe përbën një rrezik evident për jetën e qytetarëve, për shtetin e Kosovës dhe proceset demokratike.

Duke shprehur besimin e plotë në profesionalizmin e organeve për zbatimin e rendit dhe ligjit, LDK i bën thirrje qytetarëve të vendit që, ashtu si në protestën e dështuar të zhvilluar dje, të mos i bashkëngjiten asnjë aktiviteti të këtij subjekti kriminal, të mos bien pre e indoktrinimit neokomunist dhe manipulimeve antishtetërore të këtij subjekti, i cili tashmë është simbol i të keqes në Kosovë.” ka shtuar LDK.

Temat
LajmeVend

Të afërta