Deputetet e arrestuara të VV’së dalin para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u zhvilluar seanca e caktimit të masës së sigurisë ndaj dy deputeteve të VV-së.

Donika Kadaj-Bujupi e Aida Dërguti janë dërguar në gjykatë për seancën e caktimit të masës së sigurisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar arrest shtëpiak për dy deputetet e arrestuara dje nën dyshimet për armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë Donika Kadaj-Bujupit dje i është gjetur sprej, ndërsa Aida Dërgutit gaz lotsjellës.

Gjykata ka ndaluar filmimin dhe fotografimin e deputeteve, ndërsa seanca për caktimin e masës së sigurisë është duke u zhvilluar.

Donika Kadaj-Bujupi u arrestua dje derisa po priste të hynte në seancën e kuvendit, ku njëra nga pikat e rendit të ditës ishte ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Edhe Daut Hoxha, zëdhënësi i Policisë së Kosovës tha dje për KALLXO.com se Donika Kadaj-Bujupit iu gjet gjatë kontrollit në hyrje një mjet i dyshimtë që dyshohet të jetë njëlloj spreji.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti u arrestua po dje.

Temat
LajmeVend

Të afërta