Lunaçek e Fajon: Vendimi i Kuvendit është për keqardhje

Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek dhe raportuesja për liberalizim të vizave, Tanja Fajon, kanë shprehur keqardhjen e tyre “me shtyrjen, në Kuvend, të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi”.

Në llogaritë e tyre në rrjetin social Twitter, Lunacek dhe Fajon, kanë porositur se megjithatë “votimi në komitetin LIBE të Parlamentit Evropian do të bëhet ditën e hënë të javës së ardhshme”.

Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka shkruar se “Parlamenti Evropian është serioz në mbështetjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave”.

“Kosova duhet të përmbushë të dyja kriteret e mbetura për liberalizim të vizave” shkruan Lunacek duke shtuar se “Fajon planifikon të ecë tutje me votimin në komitetin LIBE”.

I njëkohshëm ka qenë edhe reagimi i Tanja Fajon, raportueses për liberalizim të vizave të Parlamentit Evropian, e cila ka shkruar se “të gjithë duhet të jemi të njëzëshëm për të ecur përpara me marrëveshjen për demarkacion”.

“Mbetem e përkushtuar për procesin. Plani im është që të procedojë me votimin për udhëtimin pa viza për Kosovën në LIBE”, ka shkruar Fajon duke theksuar se “ i bën thirrje Kosovës që të përmbushë kushtet e mbetura për liberalizim të vizave”

“Topi është tani është në fushën e Kosovës” ka shkruar në Twitter, Tanja Fajon.

Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, LIBE, është paraparë që të votojë të hënën, më 5 shtator, për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke i hapur kështu rrugën Parlamentit Evropian që të votojë për të njëjtin proces.

Komiteti LIBE ishte paraparë të votonte për Kosovën në korrik të këtij viti, por shtyu votimin në shtator me shpresën se politikanët e Kosovës do të gjejnë një zgjidhje për demarkacionin.

Qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, të enjten, me arsyetimin “e rrethanave të pafavorshme të krijuara dhe tensioneve në vend”. Kuvendi u mblodh më 1 shtator për të diskutuar për demarkacionin dhe për ta votuar marrëveshjen përmes protestave që u organizuan në rrugë nga Lëvizja Vetëvendosje. (REL)

Temat
LajmeVend

Të afërta