Grabovci kërkon falje për fyerjet, thotë se po terrorizohet nga përgjimet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili po përballet me publikimin e përgjimeve të bisedave të tij me njerëz të institucioneve të ndryshme, ka kërkuar falje për fyerjen që u ka bërë komuniteteve RAE. Grabovci deklaroi se po terrorizohet nga përgjimet.

Kujtim Paçaku nga komunitetet RAE, kërkoi në Kuvendin e Kosovës që Adem Grabovci ose dikush nga deputetët shqiptar të kërkoj falje për fyerjen që i është bërë në bisedat e përgjuara të deputetit të PDK-së.

Në emër të Kuvendit, falje kërkoi kryetari Kadri Veseli, i cili tha se edhe vet është ndier i fyer.

Pas tij, falje ka kërkuar edhe vet Adem Grabovci i cili është subjekt i atyre bisedave ku fyhen komunitetet me fjalët “gabel” e “magjup”.

Grabovci tha se është duke kaluar çaste të vështira të terrorit, pas gati një muaji publikim të bisedave të përgjuara.

“Gjitha angazhimet e mija kanë qenë të sinqerta dhe do të vazhdojë kështu me të gjithë qytetarët e Kosovës, të ju jap ndihmë dhe përkrahje si bashkështetas i juaji, si vëlla dhe mik i juaji”, është shprehur Grabovci.

“Unë u kërkoj falje nga zemra dhe shpirti dhe shpreh keqardhje për këtë që po ndodh dhe nuk besoj që në një shtet të Evropës që për një muaj rresht të terrorizohet një njëri, një familje dhe një popull i tërë për biseda private”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se në momente të caktuara ka treguar dobësi, dhe se pjesën tjetër ua lë institucioneve të drejtësisë.

Temat
LajmeVend

Të afërta